Lajme
“Jemi në fushatë”: Deklaratat e pushtetit dhe opozitës për zgjedhje të parakohshme
Demokracia
15:51 | 02 Janar 2024

Share:

Kohëve të fundit, zgjedhjet e parakohshme janë përmendur shumë. Fillimisht nga pushteti, më konkretisht nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, ndërkaq së fundi, edhe nga opozita. Madje, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u deklarua se tashmë të gjitha partitë politike janë duke u bërë gati për mbatjen e tyre.

Para një jave, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherit zyrtar i lartë në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë.” – deklaroi ai në “Klan Kosova”.

Tutje, ai e arsyetoi edhe më tej edhe këtë qëndrim të tij:

Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit”.

Çka tha Haradinaj?

Rreth mundësisë për zgjedhje të parakohshme, ka folur edhe Ramush Haradinaj në një intervistë të publikuar të martën në mediumin “KosovaPress”.

Fillimisht, ai u shpreh se partitë politike “po i ndiejnë zgjedhjet”.

“Po hetohet që partitë politike po i ndjejnë zgjedhjet. Në mënyra të ndryshe po mundohen me pozicionuar vetën në mendjen e qytetarëve si opsion…. Nëse flasim për Aleancën, ne asnjëherë nuk jemi mërzitur për këto sondazhet apo rezultatet e porositura. Kësaj radhe nuk mërzitemi pasi e dimë gjendjen që është në vend dhe besimin e qytetarëve në secilin subjekt. (Zgjedhjet) Janë edhe ashtu në kalendar siç e dini ju, duhet mbajtur më së largu në janarit 2025.” – deklaroi kreu i AAK-së.

Tutje, Haradinaj u shpreh se “të gjithë po bëhen gati për zgjedhje”, derisa shtoi se tashmë veç se kanë hyrë në fushatë.

“Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë.” – u shpreh ai.

Të ngjashme
Lajme • 15 Maj 2024