Intervista
“Jemi larg epilogut të dramës, plani-franko gjerman vetëm hap shtensionimi mes Kosovës e Serbisë”
Demokracia
14:38 | 19 Shkurt 2023

Share:

Atë që po e përgatisin qendrat perëndimore për Kosovën, më saktësisht Uashingtoni, Blerim Latifi e përkthen si një moment hutie për kosovarët, të cilën e shpreh me një referencë shekspiriane.

“Ne praktikisht ndodhemi në një dilemë të tipit hamletian: T’i besojmë a të mos i besojmë Amerikës për Asociacionin – kjo është çështja!”, thotë ai.

Në një version më pak të reduktuar se Asociacioni, Latifi në një intervistë për Express tha se përpjekjen e SHBA-së dhe vendeve më të forta të BE-së e sheh si një nismë për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja e bllokadës ku është kurthuar me vite.

Por, profesori i filozofisë është dyshues rreth asaj që mund të arrihet me propozimin evropian. Sipas tij, plani vetëm mund të shtensionojë raportet Kosovë-Serbi pa i dhënë fund dramës mes dy vendeve.

Përveç shovenizmit nga Beogradi që do të vazhdojë derisa Kosova nuk do të njihet nga Serbia, e ndihmuar nga Rusia, Latifi vlerëson se sherr të madh Kosovës i bëjnë edhe Spanja, Rumania, Sllovakia Qipro dhe Greqia.

Qëndrimi i refuzimit agresiv që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës ushqehet më shumë nga pozicioni i këtyre pesë vendeve sesa nga pozicioni i Rusisë”.

Në këto rrethana pashmangshëm një lojë e rëndësishme do të luhet edhe në taborin e kosovarëve, klasës politike, që sipas Latifit, tash do të shihet nëse është e dobishme apo e dëmshme për vendin.

“Derisa shtyhen me bërryla për pushtet, tash duhet të japin edhe zgjidhje për dilemat e mëdha politike. Nëse zgjidhjet e tyre janë të dobishme për vendin, do ta meritojnë respektin tonë. Nëse zgjidhjet e tyre provohen të dëmshme, atëherë sigurisht do të përfundojnë në atë që Lenini e quan “koshi i plehrave të historisë”, thekson ai.

Ndërsa për ata që e kanë në duar vendimmarrjen Latifi është shumë i hapur dhe direkt.

“Koordinimi me mbështetësit tanë është parim të cilin duhet ta kemi gjithmonë parasysh. Këtë janë munduar ta etiketojnë si servilitet, por nuk është hiç i tillë. Të tregohesh sovranist ndaj atij që ta garanton sovranitetin- kjo është thjesht formë e budallallëkut”.

Kosova po e shënon përvjetorin e pesëmbëdhjetë të shtetësisë së saj, pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND-së se shpallja nuk ishte është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar i OKB-së. Sa i vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtar i familjes botërore të kombeve?

Latifi: Rendi i sotëm botëror është rend i bazuar në principin e shteteve të pavarura e sovrane. E gjithë e drejta ndërkombëtare, ligji ndërkombëtar, marrëdhëniet ndërkombëtare janë të bazuara mbi këtë princip. Pjesëmarrja në këtë bashkësi të shteteve sovrane arrihet përmes pranimit nga anëtarët e saj. Pranimi i mundëson një shteti të ndërtojë marrëdhënie me shtetet tjera dhe kapaciteti për të ndërtuar marrëdhënie me shtetet tjera sot konsiderohet si një kriter shumë i rëndësishëm i shtetësisë. Në rastin tonë ne e shohim se 15 vite pas shpalljes së pavarësisë ky proces i pranimit ka mbetur në gjysmë të rrugës. Në harkun e këtij 15-vjeçari, nga një bum fillestar i njohjeve, kemi kaluar në fazën e ngadalësimit të  njohjeve dhe aktualisht jemi në një fazë të bllokimit të plotë të tyre. Pasojat e këtij bllokimi dihet cilat janë: nuk ka anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e as përparim serioz në rrugën e integrimit euro-atlantik. A na e vështirëson jetën ky fakt? Sigurisht që po. Madje shumë. Sepse duke jetuar në kushtet e një shtetndërtimi të papërfunduar, ne humbim shumë energji në ballafaqimin me pengesat që na dalin si pasojë e këtij fakti. Mjafton të shikoni 10 vitet e fundit. Çështja kryesore me të cilën jemi detyruar të merremi është dialogu me Serbinë. Impakti i kësaj çështje në jetën tonë politike e institucionale ka qenë tepër i madh. Kanë rënë edhe qeveri si pasojë e këtij impakti. Pastaj lënie në rend të dytë e të tretë të çështjeve fundamentale të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të sistemeve të shëndetësisë e edukimit. Lënia anash e këtyre sektorëve ka shkaktuar depresion ekonomik e social në vend, i cili shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkallën e lartë të migrimit. Për më keq dialogu i zgjatur në kohë me Serbinë na ka shkaktuar një disfatë të madhe diplomatike gjatë kësaj periudhe: futjen e politikës së jashtme të Kosovës nën varësinë e dinamikës së dialogut. Këto janë shenja të këqija. Janë shenja të kompremetimit të pavarësisë. Nëse i injorojmë këto shenja, gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë. Nëse lëmë budallallëqet e luftës së brendshme për pushtet dhe fokusohemi seriozisht në ballafaqimin me këtë rrezik, atëherë gjërat mund të marrin një rrjedhë tjetër, në drejtimin e duhur.

Një pyetje hipotetike, po të kishim një qeverisje efektive dhe me vizion të qartë nga shkurti i vitit 2008, a do të kishim telashe të kësaj natyre. A e ka penguar zhvillimin ekonomik, ngritjen e mirëqenies statusi i padefinuar ndërkombëtarisht?

Latifi: Kur është shpallë pavarësia në vitin 2008 ka qenë një periudhë e optimizmit naiv. Besohej se gjithçka është kryer me shpalljen e pavarësisë dhe tanimë ishim në dyert e parajsës. Ky optimizëm naiv na ka kushtuar shumë, sepse duke mos qenë të kujdesshëm dhe mjaftueshëm vetëkritikë, kemi lejuar të na ndodhin një mori e madhe gabimesh e dështimesh, të cilat sigurisht që nuk kanë qenë të pashmangshme. Këto dështime nuk kanë të bëjnë me pengesat në rrafshin ndërkombëtar, por atë të brendshmin. Një shtet i ri është një krijesë e brishtë dhe nëse nuk e trajton me kujdes rrezikon ta dëmtosh seriozisht mënyrën e rritjes së saj. Lidhur me pyetjen tuaj se a do të rridhnin ndryshe gjërat me një qeverisje tjetër, e cila do të kishte një vision të qartë, këtë nuk mund ta themi me siguri, për shkak se një hipotezë, derisa nuk testohet, mbetet thjesht hipotezë. Problemi nuk është të kesh apo të mos kesh një vizion të qartë. Problemi është se sa beson realisht në atë vizion. Vizioni pa besim në të është veç një frazë boshe. Por edhe besimi nuk është diçka që është aty. Besimi varet nga vlerat për të cilat angazhohesh. Këtu hyjnë në punë elitat politike e kulturore, prej të cilave varet mënyra se si ndërtohet shteti. Nuk mund të ndërtosh shtet pa elita. Nëse elitat politike i ke me nivel të ulët kulturor dhe vetë elitat kulturore me nivel mediokër intelektual, sigurisht se do të kesh problem serioze në ndërtimin e shtetit demokratik.

A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me problem të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Latifi: Nuk e kemi parashikuar një gjë të tillë, ngase, siç thashë më lartë, të ardhmen e shihnim me një dozë të madhe të optimizmit naiv. E kemi ditur se Serbia, dhe aleati i saj kryesor Rusia, do të përpiqen ta diskreditojnë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, por më vonë e pamë se më shumë se të këto dy shtete, barriera më e madhe e Kosovës formohej nga pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e njohën dhe vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi i refuzimit agresiv që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës ushqehet më shumë nga pozicioni i këtyre pesë vendeve, se sa nga pozicioni i Rusisë. Sikur njohja e Kosovës të ishte e plotë nga të gjitha shtetet e Perëndimit, rezistenca serbe do të ishte shumë më e dobët. Ka pasur një moment pas një suportimi të fuqishëm kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë presidencës së Obamës, vendosin ta lënë Kosovën në duart e Bashkimit Evropian, i cili duke mos qenë unik rreth pavarësisë së Kosovës, shpiku agjendën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi përmes një dialogu gjysmë teknik e gjysmë politik. Këtu pastaj nisi procesi gërryes. Sa më shumë që zgjaste dialogu, aq më shumë gërryhej substanca e sovranitetit të shtetit të Kosovës, aq më shumë Serbia investonte në idenë e çështjes së Kosovës si çështje e pambyllur. Në tërë këtë proces ne kemi bërë tri gabime serioze: I pari, kemi gëlltitur lehtë idenë absurde të normalizimit pa njohje, duke thyer kështu parimin themelor të marrëdhënieve mes shteteve, i cili thotë se ka vetëm një mënyrë normalizimi në marrëdhëniet mes shteteve dhe kjo mënyrë quhet njohje reciproke. I dyti, po me të njëjtën lehtësi jemi futur në një proces dialogu pa afatizim të qartë dhe kjo na ka penalizuar shumë në rrafshin e politikës  për marrjen e njohjeve të reja. I treti, politikën tonë të jashtme dhe çështjen e dialogut me Serbinë i kemi shndërruar në çështje të luftës së brendshme për pushtet dhe kështu hap pas hapi e kemi dëmtuar edhe më shumë pozicionin shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB. Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Latifi: Perëndimi e ka parë se formati i deritanishëm i dialogut nuk shpie askund, prandaj kemi një përpjekje të re nga qeveritë kryesore perëndimore për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja e bllokadës përmes një marrëveshje themelore Kosovë-Serbi. Kjo marrëveshje, në variantin më optimist, mund të shihet si lëvizje e procesit nga gjendja mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia, në një gjendje me elemente të njohjes de facto, por jo edhe njohje de jure. Pra një lloj kompromisi midis mosnjohjes dhe njohjes de jure. Në tërë këtë proces, në lojë është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ky Asociacion është bërë mollë sherri midis Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë, ngase derisa ne e shohim atë si njëlloj autonomie politike për serbët e Kosovës, aleatët tanë në krye me Uashingtnonin, e mendojnë ndryshe atë. Ne praktikisht ndodhemi në një dilemë të tipit hamletian: T’i besojmë a të mos i besojmë Amerikës për Asociacionin – kjo është çështja! I takon klasës politike kosovare që ta zgjidhin këtë dilemë. Derisa shtyhen me bërryla për pushtet, tash duhet të japin edhe zgjidhje për dilemat e mëdha politike. Nëse zgjidhjet e tyre janë të dobishme për vendin, do ta meritojnë respektin tonë. Nëse zgjidhjet e tyre provohen të dëmshme, atëherë sigurisht do të përfundojnë në atë që Lenini e quan “koshi i plehrave të historisë”.

A keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe Kinës në OKB për të siguruar ulësen në OKB?

Latifi: Kosova nuk ka asnjë kapacitet ose instrument për të ndikuar politikën e Rusisë dhe Kinës, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Rusia dhe Kina e konsiderojnë Kosovën si projekt amerikan, prandaj çdo lëshim eventual ato mund ta bëjnë vetëm në një proces negocimi me Uashingtonin.

Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë-Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE-së a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE-së pavarësisht 5 vendeve? Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO.

Latifi: Mekanizmi kryesor përmes të cilit Bashkimi Evropian i merr vendimet është mekanizmi i konsensusit të të gjithë anëtarëve të tij. Duke qenë se pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën, çdo vendimmarrje pozitive për Kosovën në Bruksel mundet fare lehtë të bllokohet dhe të mos ecë përpara. E njëjta gjë vlen edhe për procesin e integrimit në NATO. Ka një dritë shprese në këtë drejtim: Franca dhe Gjermania po kërkojnë ndryshimin e mekanizmit të vendimmarrjes në BE dhe në vend të mekanizmit të vendimmarrjes me konsensusin e të gjithë anëtarëve po kërkohet mekanizmi i vendimmarrjes përmes shumicës së anëtarëve. Nëse kjo arrihet, atëherë rruga e Kosovës për në BE hapet krejtësisht. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do ta kemi shumë të vështirë, nëse në ndërkohë qëndrimi i pesë vendeve mosnjohëse nuk ndryshon.

Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti me gjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Latifi: Secili që qeveris në Kosovë e ka të qartë se bashkëpunimi me Perëndimin është vital për ekzistencën dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ne duhet të mos harrojmë dy gjëra: e para jemi shtet i vogël dhe si i tillë kemi nevojë ekzistenciale për mbështetje të vazhdueshme nga të mëdhenjtë e rendit botëror. E dyta, ne jemi ende shtet i papërfunduar në aspektin e ndërkombëtar, prandaj koordinimi me mbështetësit tanë është parim të cilin duhet ta kemi gjithmonë parasysh. Këtë janë munduar ta etiketojnë si servilitet, por nuk është hiç i tillë. Të tregohesh sovranist ndaj atij që ta garanton sovranitetin – kjo është thjesht formë e budallallëkut.

Nëse nuk siguron njohje a mund të presim së paku në raportet Kosovë-Serbi me planin franko-gjerman do të ndërpritet marrëdhënia toksike dhe destruktive mes dy vendeve?

Latifi: Derisa nuk do ta kemi një njohje de jure të Kosovës nga Serbia, kjo e fundit nuk do të heqë dorë nga politikat e saj obstruktive ndaj Kosovës. Derisa Kosovën nuk do ta njohin pesë vendet e BE-së, Serbia do të ndihet e motivuar për t’i vënë pengesa Kosovës kudo që të mundet. Derisa në Serbi nuk kemi një çlirim kombëtar nga mitologjia e 150 viteve të fundit që shteti serb e ka ngritur mbi Kosovën, gjithmonë do të ketë forca politike në Serbi që do ta ushqejnë qëndrimin shovinist ndaj Kosovës. Në këtë kontekst plani franko-gjerman është vetëm një hap i shtensionimit midis Kosovës dhe Serbisë me efekt të kufizuar në kohë. Kam përshtypjen se ende jemi larg epilogut të dramës.

A guxoni të bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Latifi: E ardhmja nuk është diçka e gatshme që na vjen një ditë. E ardhmja nuk është fatalitet, as paracaktim. E ardhmja është rezultat i punëve që ne i bëjmë në të tashmen. Sigurisht, duke qenë se jemi pjesë e një bote globale, shumë gjëra në të ardhmen e pas 15 viteve do të varen nga zhvillimet që do të ndodhin në rrafshin global. Megjithatë, disa koordinata të përgjithshme mund të përmenden. Duke qenë se Kosova është projekt perëndimor, fati i saj do të varet shumë nga dinamika e marrëdhënieve të fuqisë midis Perëndimit dhe fuqive tjera, siç janë Rusia dhe Kina. Një disfatë e Rusisë në Ukrainë, e riafirmon dominimin perëndimor në rendin ndërkombëtar dhe e dekurajon Serbinë në planet e saj për dominim në Ballkanin perëndimor. Nëse Bashkimi Evropian do ta tejkalojë krizën e brendshme strukturore dhe do t’u rikthehet praktikisht politikave të zgjerimit, atëherë Ballkani Perëndimor mund t’i lërë pas fantazmat e të kaluarës së errët. Pra, gjithçka do të varet nga vendimet që do të merren prej njerëzve të zgjedhur nga qytetarët në Uashington, Paris, Londër, Berlin dhe në qendrat tjera në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. E ardhmja mbetet e hapur ndaj shumë mundësive, tendencave dhe probabiliteteve. Si e tillë ajo është pothuajse e  paparashikueshme. Ata që bëjnë parashikime matematikore mbi rrjedhën e historisë, rëndom janë sharlatanë ose mashtrues të rëndomtë, por njëkohësisht edhe injorantë në fushën e filozofisë dhe të shkencave sociale. Gjithmonë është me vlerë ta përmendim një urti filozofike: E sigurt është vetëm pasiguria! Kjo urti na mundëson të jemi të kujdesshëm për zgjedhjet që bëjmë, vendimet që marrim dhe rrugët që shkelim.

Të ngjashme