Jehona Lushaku-Sadriu, Kryetare e Forumit të Gruas në LDK dhe deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, është tërhequr së fundmi nga posti i nënkryetares së Komunës së Prishtinës, ndërkohë që Demokracia.com ka zbuluar se komuna i ka dhënë asaj një leje ndërtimi për shtëpi private, në një kohë kur ajo vetë ishte pjesë e udhëheqjes së komunës.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Demokracia.com, Lushaku-Sadriu kishte aplikuar për leje ndërtimi në Zyrën e Urbanizmit më 20 shtator 2024, ndërsa leja është lëshuar më 20 shkurt 2025- periudhë gjatë së cilës ajo ushtronte funksionin e nënkryetares së Prishtinës.
Vendimi zyrtar për lejen e ndërtimit, i lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit, thotë:
“I. I lejohet aplikueses Jehona Lushaku Sadriu nga Prishtina, sipas kërkesës 05 Nr. 351/02-124343/24 dt. 20.09.2024, ndërtimi i shtëpisë individuale banimore/shtëpisë familjare, me etazhitet S+P+1, në kuadër të bllokut urban “F-01”, të tërësisë urbane “F”, të “Planit Rregullues të Hollësishëm Sofalia 2016-2024”, në Prishtinë, konkretisht në njësinë kadastrale nr. 90-20 ZK Sofali”.
Projekti është hartuar nga kompania projektuese SaOra Architects SH.P.K, me seli në Prishtinë. Leja ndërtimore i ka kushtuar Sadriut 2,806 euro, duke përfshirë të gjitha taksat.
Sipas projektit të dorëzuar dhe miratuar, shtëpia parashihet të ketë një sipërfaqe ndërtimore bruto prej 306.85 m², nga të cilat 269.00 m² janë mbitokësore dhe 37.85 m² nëntokësore (nuk përfshihet termoizolimi). Hapësirat janë të ndara në:
-
Suteren (+0.00 m), 75.70 m²: hapësirë garazhuese, komunikuese dhe banimi;
-
Përdhesa (±2.90 m), 100.88 m²: hapësirë komunikuese dhe banimi;
-
Kati i parë (+6.20 m), 130.27 m²: hapësirë komunikuese dhe banimi.
Po ashtu, lejohet vendosja e ndërtesave ndihmëse/montazhe për nevoja të kompanisë ndërtimore, deri në përfundim të projektit.
Ndër dokumentet e dorëzuara nga Lushaku-Sadriu figurojnë edhe dëshmia e pronësisë dhe plani i parcelës me numër 90-20 dhe 90-18 ZK Sofali, në emër të saj, të lëshuara nga Drejtoria e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Në deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 12 mars 2024, ajo nuk e kishte deklaruar asnjë parcelë në emrin e saj. Në atë dokument, figuron vetëm një parcelë prej 270 m² në emër të bashkëshortit, e trashëguar, por pa lokacion të specifikuar.
Demokracia.com ka tentuar ta kontaktojë zonjën Lushaku-Sadriu për të sqaruar nëse parcela për të cilën është dhënë leja është fituar pas deklarimit të fundit të pasurisë, apo nëse bëhet fjalë për një mosdeklarim të saj. Megjithatë, ajo nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.
Në deklarimin e pasurisë, ish-nënkryetarja kishte raportuar se posedon një banesë të trashëguar prej 47 m², të vlerësuar në 74 mijë euro. Po ashtu, në emër të bashkëshortit janë deklaruar dy banesa, një shtëpi dhe një garazh i përbashkët.
Kursimet në bankë janë raportuar në vlerë prej 722 euro në emrin e saj dhe 973 euro në emrin e bashkëshortit. Ajo kishte deklaruar edhe dy kredi: njëra me vlerë të mbetur prej 2,147 euro për blerjen e një veture, dhe tjetra me vlerë të mbetur prej 17 mijë euro për blerjen e një banese – të dyja në emrin e saj.
Jehona Lushaku Sadriu është liruar dje nga posti i drejtoreshës në Arsim, derisa e njëjta mbante edhe postin e nënkryetares. /Demokracia.com/