Ka nisur me debate mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Enkelejd Alibeaj, si kreu i këtij Grupi i është drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha duke i thënë se ishte i paftuar dhe nuk duhet të ishte i pranishëm.
“Je i paftuar. Nuk duhet të jesh në mbledhje se je i përjashtuar. Kjo mbledhje është një sinjal i brishtë për bashkim”, kështu i është drejtuar Alibeaj ish-kryeministrit Berisha. Kreu i grupit të PD edhe dje e bëri të qartë qëndrimin e tij, se Berisha ishte përjashtuar në 9 shtator nga Lulzim Basha, pas shpalljes “non grata” dhe nuk ishte i ftuar në mbledhjen e sotme.
Mirëpo, edhe Sali Berisha ka këmbëngulur në të vetën. Ai dje ju përgjigj menjëherë Alibeajt në një deklaratë për mediat, duke thënë se “i pari në atë mbledhje do të jetë Sali Berisha”. Kështu ka bërë dhe sot, duke shkuar në mbledhjen që ka nisur në zyrat e selisë blu.
“Ju duhet të pranoni realitetin. Vendimi për përjashtimin tim ka qenë antistatutor”, i është përgjigjur ai Enkelejd Alibeajt.