Bisedimet ka të ngjarë të përqendrohen në ndjekjen e shpejtë të një marrëveshjeje të shumëpritur tregtare dypalëshe midis dy vendeve.
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve JD Vance ka mbërritur në kryeqytetin indian ku do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Narendra Modi në mes të tensioneve tregtare globale të shkaktuara nga politikat tarifore të Washington-it.
Bisedimet ka të ngjarë të përqendrohen në ndjekjen e shpejtë të një marrëveshjeje të shumëpritur tregtare dypalëshe midis dy vendeve, raporton BBC.
Vance gjithashtu pritet të shkojë në një turne turistik në Agra dhe Jaipur me familjen e tij.
Vizita e tij vjen ndërsa vendet në mbarë botën nxitojnë të negociojnë një marrëveshje tregtare përpara se të përfundojë pauza 90-ditore e presidentit amerikan Donald Trump mbi tarifat reciproke më 9 korrik.
“Të dy palët do të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe globale me interes të ndërsjellë”, ka bërë me dije Ministria e Jashtme e Indisë përpara vizitës së Vance.
Zëvendëspresidenti shoqërohet nga fëmijët dhe gruaja e tij Usha Vance, prindërit e së cilës emigruan në SHBA nga shteti jugor i Andhra Pradesh.
Pas mbërritjes së tij në Delhi të hënën në mëngjes, Vance vizitoi kompleksin e tempullit Akshardham në Delhi.
Ai do të takohet me Modi-n për bisedime zyrtare më vonë gjatë ditës dhe Modi do të presë Vance për darkë në mbrëmje.
Vizita sakaq vjen mes përshkallëzimit të tensioneve tregtare midis Washington-it dhe disa vendeve pasi Trump njoftoi tarifa të larta reciproke ndaj tyre.
Trump, i cili në mënyrë të përsëritur e ka quajtur Delhi-n një abuzues tarifash, kishte njoftuar një tarifë prej 27% për Indinë përpara se ta ndalonte përkohësisht atë më 9 prill.
India ka ulur tashmë tarifat për disa mallra amerikane, me shkurtime të mëtejshme që priten pasi bilanci i tregtisë është ende i grumbulluar shumë në favor të Delhi-t, i cili gëzon një suficit tregtar prej 45 miliardë dollarësh.