Lajme
Javën e ardhshme pritet të caktohen raportuesit për Kosovën nga KiE
Demokracia
12:34 | 17 Qershor 2023

Share:

Javën e ardhshme pritet të caktohen raportuesit për Kosovën nga Këshilli i Evropës (KiE), pas kalimit të fazës së parë për anëtarësim në KiE më 24 prill. 

Të njëjtit pritet të vijnë në Kosovë dhe të hartojnë raporte për çështjet juridike, politike dhe për barazi e të drejtat e komuniteteve. Ndërkaq, veçse janë caktuar dy juristë që nuk janë deputetë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së të cilët do të bëjnë raportin e parë për Kosovën në lidhje me kushtetutshmërinë dhe të drejtat e minoriteteve.

Në MPJD janë optimistë se Kosova do të kalojë edhe fazat e radhës për anëtarësimin e plotë në këtë institucion ndërkombëtar, derisa thonë se s’kanë asnjë sinjal se zhvillimet e fundit në Kosovë do të stopojnë procedurat e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se pas caktimit të raportuesve për Kosovën, në mbledhjen e radhës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, situata e anëtarësimit në këtë institucion do të jetë më e qartë.

Sidoqoftë, ai thekson se lobimi i tyre është që procesi i anëtarësimit të shkojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por gjithmonë duke u bazuar në meritokraci dhe jo të ndërlidhet me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me Këshillin e Evropës.

Ahmeti shton se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka të bëjë me kriteret e demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, në të cilat sipas tij, Kosova ka përparim të jashtëzakonshëm në këto fusha.

Andaj, ai thotë se tensionimi i situatës në veri dhe raportimet për masa shtrënguese të BE-së ndaj Kosovës nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Të ngjashme