Lajme
Jasharaj: Vetëm mësuesve u janë ndalur pagat, Kurti synon ta rrënojë SBASHK-un
Demokracia
22:15 | 03 Tetor 2022

Share:

Kryetari i SBASHK dhe drejtuesi i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj ka thënë se Qeveria Kurti po tenton që ta rrënojë sindikatën që e drejton ai.

Ai ka thënë se pagat për grevistët e sektorëve të tjerë janë ekzekutuar sot, por jo edhe për mësuesit.

“Ata që na kritikojnë një të vërtetë që mund ta vërtetojnë. Ky është një ndëshkim vetëm ndaj SBASHK-ut, sepse shërbyesit civilë janë në grevë dhe atyre u janë proceduar pagat. Edhe ata ishin në grevë, e ata po marrin paga. Po shihet që syri i qeverisë është të rrënohet SBASHK-u.  Po tentojnë ta rrënojnë sindikatën më të fortë. Nuk kanë arritur ta rrënojnë as në vitet e ’90-a, s’do të arrijë ta rrënojë as qeveria Kurti”, ka thënë Jasharaj në një lidhje direkte me Pressing të T7.

Jasharaj ka thënë se qeveria është dashur ta përgëzojë sindikatën për fillimin e procesit mësimor dhe jo ta godas kështu.

Këtë veprim, Jasharaj e ka quajtur “thikë pas shpine”.

“Në vend se të na falënderojnë dhe përgëzojnë që po fillon procesi mësimor, ata ndalin pagat dhe na godasin. Çfarë iu desh Kurtit në ditën e parë të vitit shkollor, të na godas në këtë mënyrë, duke na ndëshkuar me ndalje pagash. Edhe po të kishte ligje që e mbrojnë këtë veprim të Kurtit dhe të thojë, ligji na mundëson t’i ndalim pagat, por ne nuk do t’i ndalim pagat sepse po përgatiten për dimër”, ka deklaruar ai.

Jasharaj ka thënë se nuk garanton se çfarë do të ndodh nëse nuk ekzekutohen pagat në arsim.

“Ne pezulluam grevën, por nëse pagat nuk procedohen, unë nuk garantoj çfarë do të ndodh tutje. Si duket qeverisë Kurti iu paska dashur greva”, ka deklaruar ai.

Duke paralajmëruar padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati ai ka fajësuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila sipas tij, nuk ka ngritur zërin për kërkesat e mësuesve.

“Fajtori numër një për këtë është Hekuran Murati, por edhe ministrja Nagavci që asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për kërkesat tona”, ka thënë ai në Pressing.

Të ngjashme