Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, Dushan Janjiq, në një intervistë për televizionin N1 dega në Serbi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë të interesuar që kriza në Veri të zgjas sa më gjatë.
“Kurti dhe Vuçiq në këtë moment kanë të njëjtat synime – që kriza të zgjas sa më gjatë dhe ta shfrytëzojnë me shumë sukses për lojëra të brendshme politike dhe të bëhen aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, thotë Janjiq.
Ndryshe, më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve të hënën, ka thënë se vendimin për të shkuar në takim ose jo me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do ta marrë vetëm atëherë kur ta kuptoj gjendjen e policëve të rrëmbyer nga strukturat serbe të sigurisë në vijën kufitare.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha të dielën se nuk do të takohet me kryeministrin Kurti, ndërsa do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitet në takim”, duke nënvizuar se ky do të jetë një vendim strategjik.
Por, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.