Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte partnere e Shteteve të Bashkuara, ka thënë ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Publike në administratën e Bill Clinton (1997-2000), James Rubin, në një intervistë për “Albanian Post”, pyetur rreth akuzës me të cilën po përballen ish-krerët e UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Rubin rikujton raportin që ShBA kishte asokohe me UÇK-në dhe Hashim Thaçin si përfaqësues i UÇK-së në bisedimet e Rambujes.
“Nuk dua të hyj në çështje gjyqësore, por sa i përket çështjes së UÇK-së në vitet 1998/1999, ne e konsideronim UÇK-në si partnere në bisedimet e paqes dhe Hashim Thaçi përfaqësonte UÇK-në. Thaçi ra dakord me Marrëveshjet e Ramboulliet. Ishte një vendim i guximshëm. Ai nuk mori gjithçka që donte, por ia mundësoi Perëndimit të bashkohej dhe të pengonte forcat ushtarake serbe të masakronin mijëra e mijëra kosovarë”, ka thënë James Rubin.
“Më vonë, Thaçi vazhdoi dhe u qëndroi zotimeve të tij ndaj nesh duke rënë dakord për demobilizimin e UÇK-së – edhe pasi ata e kishin fituar luftën. Ata mbajtën të gjitha premtimet për të cilat kishin rënë dakord me Shteteve të Bashkuara. Unë e konsideroj marrëdhënien tonë me ta si vendimtare për të sjellë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Pa vendimet e tyre dhe partneritetin e tyre, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, vazhdoi ai.
Pyetur nga Albanian Post rreth asaj që edhe është shkruar nga media ndërkombëtare se varësisht edhe se nga çfarë vendimi do të nxjerr Gjykata Speciale, do të mund të rishkruhej edhe historia, Rubin thotë se “historia mund të rishkruhet”. “Historia e asaj kohe është shumë e qartë. Sllobodan Millosheviç-i dhe vartësit e tij shfrytëzuan autoritetin mbi forcat ushtarake serbe për të masakruar kosovarët dhe kërcënuar se do të masakrojë dhjetëra mijëra të tjerë. Këto janë faktet”.
“A është e vërtetë se në një situatë lufte, individë kosovarë mund të kenë kryer akte që Shtetet e Bashkuara s’i mbështesin? Sigurisht, kjo është e vërtetë; por kjo zbehet në krahasim me atë që po ndodhte në atë kohë nga politikat shtypëse të Millosheviç-it ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kjo është diçka që nuk mund të rishkruhet dot”.
“NATO ndërhyri për të mbrojtur kosovarët nga një masakër që u shkaktua nga qeveria serbe. Nuk besoj se Millosheviçi ka folur për të gjithë popullin serb. Ka shumë serbë që e refuzuan Millosheviçin atëherë dhe tani. Por, Historia do të shënojë se UÇK-ja dhe Shtetet e Bashkuara ishin partnerë në parandalimin e një gjenocidi”, ka thënë mes tjerash ai.