Lajme
Jakoel: Ajo që po ndodh në Izrael s’është luftë mes dy ushtrive, por përballje me një grup gjakatar
Demokracia
17:59 | 09 Tetor 2023

Share:

Kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Jakoel, ka thënë se bota duhet ta kuptojë që ajo që po ndodh në Izrael nuk është luftë në mes të dy ushtrive, por “përballje me një nga organizatat më gjakatare që ka sot në botë”.

Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ajo ka theksuar se ushtria izraelite ka marrë iniciativën dhe po mundohet të godasë të gjitha qendrat e grupit terrorist të Hamasit, si dhe janë marrë masa për të ndihmuar edhe popullatën e cila sipas saj, është goditur kaq rëndë këto dy-tri ditët e fundit.

“Bota duhet ta kuptojë që kjo nuk është luftë në mes të dy ushtrive, kjo është një përballje me një nga organizatat më gjakatare që ka sot në botë, dhe unë personalisht e krahasoj vetëm me Al-Isis dhe ashtu siç bota u mobilizua për ta neutralizuar këtë organizatë gjakatare, ashtu edhe sot të gjitha forcat pozitive duhet të bëhen një për ta shpartalluar këtë organizatë që është kundër paqes për popullin e saj, të atyre që jetojnë në rripin e Gazës”, është shprehur Jakoel.

Jakoel ka thënë se Izraeli e ka shumë të vështirë që të përballet me grupin Hamas. “Ajo është një organizatë gjakatare, fanatike, e tejskajshme, e mbështetur dhe e financuar nga Irani, që është një nga forcat më të errëta që sot ka në botë, dhe me një organizatë të tillë të pamëshirshme, që nuk ka mëshirë as për popullatën e saj, atëherë Izraeli duhet ta përballojë”, ka theksuar Jakoel.

Ajo ka thënë se të gjithë e dinë që konflikti arabo-palestinez është i gjatë, por se sipas saj koha është që të bota të përqendrohet në ngjarjen, sipas saj tronditëse, që ka ndodhur këto ditë.

“Nuk mund të thuash që Izraeli është një vend i qetë, e kemi parë të gjithë, por kjo që të futesh në shtëpitë e njerëzve, t’i zvarritësh me fëmijë dhe bebe, kjo është një gjë që nuk është parë”, ka theksuar Jakoel.

Sipas saj edhe pse shumica e terroristeve janë neutralizuar, akoma ka dyshime se në dy-tri qendra mund të ketë ngelur akoma ndonjë terrorist dhe është dhënë urdhër që familjet të mbyllen deri sa të dal ndonjë urdhër i dytë.

“Siç e dini edhe ju ne jemi në gjendje lufte, unë jam në qendër të Izraelit, çdo gjë është e mbyllur, shkollat, dyqanet, vetëm supermarketet janë të hapura, shumica e njerëzve janë brenda nëpër shtëpi, sepse edhe sot para dy-tre orësh kemi dëgjuar një sirenë të fortë dhe u detyruam që të futemi në dhomën e sigurisë, sepse padi goditje me raketa nga Gaza. Për fat të mirë Izraeli ka mbrojtjen e mirë që e shpërben raketën në ajër, pak a shumë ne ndihemi të sigurt por gjendja vazhdon të jetë e dhimbshme, sepse dalëngadalë po shpalosen të gjitha rastet e tmerrshme të vrasjeve, të fëmijëve, të pleqve, të grave, të njerëzve të pambrojtur që ishin në shtëpi duke ngrënë mëngjesin, apo nuk ishin zgjuar nga gjumi akoma, ose të mijëra të rinjve që ishin mbledhur për të festuar të dielën”, është shprehur Jakoel.

Ajo ka thënë se operacioni i shpëtimit për personat që janë kidnapuar nga grupi i Hamasit është shumë i vështirë.

Të ngjashme