Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, sanksionet janë zgjeruar edhe ndaj oligarkëve rusë, që janë të afërt me Vladimir Putinin.
Pothuajse në asnjë vend të BE-së këto jahte nuk kanë arritur të bënin vend, duke u konfiskuar nga autoritetet.
Por, Reuters ka mësuar se gjashtë jahte të oligarkëve rusë që janë nën sanksione janë ankoruar në Maldive, raporton Demokracia.com
Një nga këto anije – Motor Yacht A – i përket biznesmenit Andrey Melnichenko.
Ky superjaht është shkëputur nga sistemi i gjeolokacionit. Një gjë e ngjashme ka ndodhur me dy jahte të rusëve të tjerë, emrat e të cilëve agjencia nuk i bëri të ditur.
Reuters publikoi gjithashtu disa foto të bëra në brigjet e Maldiveve më 4 mars. Dy prej tyre përshkruajnë jahtet e sipërmarrësve Alexander Abramov dhe Igor Kesaev.
Prokurori i Përgjithshëm i Maldiveve, Hussain Shamim, në një bisedë me agjencinë, vuri në dukje se autoritetet nuk mund të konfiskojnë pronën nëse nuk ka pasur shkelje të ligjeve lokale.
Më herët mediat italiane raportuan se një nga jahtet e Melnichenkos, i cili ndodhej në portin e Triestes, është konfiskuar në Itali. Mediat e quajtën atë jahtin më të madh privat në botë, kostoja e tij është 530 milionë euro.
Më 9 mars, Melnichenko dhe 13 biznesmenë të tjerë rusë u përfshinë në listën e sanksioneve të BE-së. Menjëherë pas kësaj, Andrey Melnichenko pushoi së qeni përfitues dhe anëtar i bordeve të drejtorëve të EuroChem dhe Kompanisë Siberiane të Energjisë së Qymyrit (SUEK)./Demokracia.com/