Lajme
Jack Smith zëvendësohet nga prokurori që kryesoi hetimet në gjykimin e Fatmir Limajt
Demokracia
07:55 | 19 Nëntor 2022

Share:

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi se Alex Whiting do të zëvendësojë kryeprokurorin deritanishëm, Jack Smith, pasi ky i fundit më 18 nëntor u emërua në SHBA si prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.

“Z. Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri. Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, thuhet në njoftim.

Kush është Alex Whiting?

Alex Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendës Prokuror i Specializuar.

Whiting ka ardhur në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku ka punuar si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013.

Midis vitit 2010 dhe 2013, Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku ka punuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale.

Përpara se të bëhej pjesë e GJPN-së, Z. Whiting ka dhënë mësim për tre vite si ndihmës profesor juridik i praktikës në Fakultetin Juridik të Harvardit.

Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq.

Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çështjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqendruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Whiting është i diplomuar nga Kolegji Yale dhe nga Fakulteti Juridik i Yale.

Smith largohet nga ZPS-ja dhe merr postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikqyrur dy hetime penale në zhvillim, i emëruar në këtë post nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick B. Garland.

Smith është emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe ka marrë funksionet e tij në shtator 2018./KP

Të ngjashme