OpEd
Ja se si Rusia po e përçan Bashkimin Evropian
Demokracia
12:37 | 01 Maj 2022

Share:

Nga John Smith “Spectator”

Rusia ka ndalur furnizimet me gaz për Poloninë. Furnizuesi shtetëror i vendit me gaz, ka refuzuar ta paguajë kompaninë ruse “Gazprom” në monedhën e saj kombëtare, rubla. Edhe Bullgaria ka thënë gjithashtu se Rusia do ta ndërpresë furnizimin e saj me gaz, për të njëjtën arsye.

Ky zhvillim përbën një përshkallëzim serioz të situatës, dhe ngre pikëpyetje se si vendet e tjera do t’i përgjigjen kësaj kërkese. Nga ana tjetër po rritet rreziku i prishjes së unitetit midis vendeve anëtare të BE-së.

Për presidentin rus Vladimir Putin, kërkesa për të blerë gazin dhe naftën ruse vetëm përmes rublës i shërben një synimi gjeopolitik shumë të rëndësishëm: përçarjes së Perëndimit. Në këtë kontekst është shumë me rëndësi ajo që do të vendosë të bëjë Gjermania dhe kompanitë e saj të importit të energjisë.

Anashkalimi i sanksioneve, siç duket se po bën Gjermania, veçanërisht në  një kohë kur vendeve të tjera të Bashkimit Evropian po u ndërpritet furnizimi me gaz për hir të respektimin të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, do të prishë solidaritetin në gjirin e BE-së.

Dhe kjo do ta përshkallëzojë edhe më tej një mosmarrëveshjeje tashmë të fortë midis Polonisë dhe Gjermanisë. A do të përçahet Brukseli, midis vendeve zbatues të sanksioneve dhe atyre që hezitojnë t`i zbatojnë plotësisht ato?

Për Poloninë, humbja e 10.2 miliardë metrave kub, me të cilën e furnizonte “Gazprom” çdo vit nuk është një problem aq i madh. Rezervat prej 3.5 miliardë metra kub që ka aktualisht Polonia janë 76 për qind plot, ndërsa ky vend mund të furnizohet nga vendet fqinje, teksa po kërkon burime alternative të gazit.

Varshava kishte shpallur gjithsesi synimin e saj për të ndalur importin e gazit rus nga fundi i këtij viti. Për Vladimir Putin, kërkesa për shitjen e gazit në rubla, i shërben një qëllim gjeopolitik të rëndësishëm: përçarjes së Perëndimit, transmeton CNA.

Problemi kryesorë  është vetë kërkesa për pagesën në rubla, dhe mënyra se si ajo i anashkalon sanksionet. Rregullat e reja ruse, thonë se një kompani që blen gaz rus duhet të ketë dy llogari në Gazprombank për të lehtësuar blerjen e gazit.

Një llogari në euro dhe një në rubla. Pasi blerësi paguan nga llogaria e tij në euro, Gazprombank i këmben më pas eurot me rubla, dhe i depoziton ato në llogarinë tjetë r të  blerësit, atë  në rubla. Nga këtu paguhet Gazprom, dhe ky është momenti kur pagesa konsiderohet e përfunduar.

Për javë të tëra, Brukseli, shtetet anëtare dhe kompanitë energjetike u përpoqën të kuptonin nëse kjo ishte apo jo në përputhje me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. UNIPER, blerësi më i madh i gazit në Gjermani, deklaroi së fundmi se mendon se kjo skemë ishte në përputhje me sanksionet.

Por duke lexuar deklaratën e Komisionit Evropian të  javës së kaluar mbi dekretin rus, nuk duket se është kështu. Mjafton të lexosh paragrafin e fundit, i cili sugjeron të vazhdohet me respektimin e sanksioneve: “Kompanitë e vendeve të BE-së, mund të bëjnë një deklaratë të qartë se synojnë të përmbushin detyrimet e tyre sipas kontratave ekzistuese, dhe të marrin në konsideratë detyrimet e tyre kontraktuale në lidhje me pagesat tashmë të kryera, duke paguar në euro ose dollarë, në përputhje me kontratat ekzistuese, si përpara miratimit të dekretit të Rusisë”.

Rregullat ruse kërkojnë që blerësi të hapë një llogari bankare në rubla, dhe parashikojnë  që pagesa në euro të konvertohet serish në rublën ruse si pjesë e procesit të pagesës. Është e vështirë të shihet ndonjë përputhje midis pajtueshmërisë me dekretin e ri rus dhe zbatimit të sanksioneve që ka vendosur Perëndimi ndaj Moskës.

Kur shohim se çfarë synon të shkaktojmë skema e Rusisë, është e lehtë të kuptosh edhe arsyen. Normalisht, çdo transaksion nga euro në rubla, do të duhej të ndodhë nëpërmjet sistemit evropian të pagesave, Target 2, i cili do të gjurmonte aktivitetin e mundshëm me subjektet e vendosura nën sanksione, dhe do ta ndalonte ndodhjen e tyre.

Zhvillimi i transaksioneve brenda Gazprombank, një subjekt që nuk është ende subjekt i  sanksioneve, i jep mundësi Rusisë që ta anashkalojë këtë mekanizëm për zbatimin e sanksioneve. Mënyra se si blerësit e tjerë të gazit rus kanë vendosur të reagojnë, do të bëhet edhe më e qartë gjatë ditëve në vijim, kur pagesat për gazin e dërguar nga Gazprom të jenë të mundshme vetëm sipas dekretit të ri të Kremlinit.

Afatet e pagesës nga ana e blerësve të gazit dhe naftës ruse nuk janë të njohura publikisht, prandaj është e vështirë të parashikohet paraprakisht nëse do të ndodhë, apo se kur do të  ndodhë  ndonjë ndalesë tjetër. Megjithatë ajo që mund të parashikohet, është se Evropa po shkon drejt një përballje shumë të fortë të brendshme, nëse vende të ndryshme të unionit do të vazhdojnë t’i interpretojnë ndryshe rregullat e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Të ngjashme
OpEd • 25 Qershor 2024
OpEd • 24 Qershor 2024
OpEd • 22 Qershor 2024