Një nga temat politike më të nxehta të kësaj vjeshte pritet të jetë definimi i çështjes së mandatit të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zvean, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Drejtuesit e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, janë shprehur të gatshëm për t’ia ndërprerë parakohshëm mandatin kryetarëve që fituan mandatin në zgjedhjet e 23 prillit 2023, të cilat u bojkotuan nga qytetarët serbë, që përbëjnë shumicën në këto komuna.
Për jetësimin e këtij qëllimi, treshja institucionale kanë angazhuar mekanizmat shtetërorë. Gjatë muajit gusht, Ministria e Pushtetit Lokal ka themeluar një grup punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Një draft i këtij dokumenti është publikuar për konsultime publike, por ende nuk ka marrë formën përfundimtare, shkruan Demokracia.
Ndonëse udhëzimi ende nuk është miratuar nga MAPL, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale ka specifikuar tri aspektet kryesore të procesit të largimit të një kryetari nga funksioni i tij: Kërkesën për largim, votimin për largim dhe zgjedhjet e reja.
Sipas nenit 72 të Ligjit për Vetëqeerisjen Lokale “Kërkesa e tillë (për largimin e kryetarit) duhet të nënshkruhet nga 20% e votuesve të regjistruar…”.
Procedurën se çka ndodhë pasi të arrihet të plotësohet kjo kërkesë, e ka sqaruar më shumë Udhëzimi Administrativ, i cili aktualisht është vetëm draft. Në Nenin 5 të këtij UA, pikën 11, theksohet se “Në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni i komunës”.
Për të qenë i suksesshëm ky proces votimi, duhet të arrihet një përqindje e caktuar e votuesve të cilët duhet të votojnë pro largimit të kryetarit.
“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, theksohet në Nenin 72.2 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Por, sa votues duhet ta nënshkruajnë kërkesë për largimin e kryetarit të komunës dhe sa duhet të jetë numri i atyre që duhet të votojnë për të qenë i suksesshëm i gjithë ky proces?
Demokracia ka bërë një përllogaritje duke u mbështetur në Nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe duke marrë për bazë listën e fundit të votuesve në këto katër komuna, e cila është përdorur në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Kjo listë votuesish do të duhet të përditësohet me votuesit e rinj, por nuk pritet të pësojë ndryshime të mëdha në shifra.
Tabela tregon se sa është numri i votuesve që duhet ta nënshkruajnë kërkesën që ajo të llogaritet e suksesshme (20%) dhe sa prej votuesve duhet të votojnë pro për largimin e kryetarit. Shumica e votuesve të regjistrur që duhet të votojnë për largimin e kryetarit të komunës, është së paku gjysma e tyre. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale për t’u zgjedhur një kryetar komune një kandidat duhet të fitojë 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë dhe nëse kjo nuk arrihet duhet të organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, në të cilin kandidati që fiton shumicën e votave zgjidhet Kryetar i Komunës. Në këtë rast, shumica e votave është 50% +1.