Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier kishte deklaruar se për shkak të situatës në veri, mund të ketë rënie të entuziazmit për njohje të reja, megjithatë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla po deklaron se as deri tash nuk është parë entuziazëm.
Kjo ishte përgjigja e saj në pyetjen e gazetares së Nacionales, Besarta Hoti, gjatë një konference për media të mbajtur sot.
“Entuziazmi për njohje të reja nuk është se e kam parë, jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë bashkë me partnerët të gjejmë rrugët për njohje. Njohjet e reja në fakt, ndonjë entuziazëm i madh përveç pesë shteteve, sepse ato që s’kanë pasur pengesave, e kanë bërë gjatë 15 viteve të kaluara. Edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë entuziazëm kush e di çka.”,deklaroi ajo.
Në një diskutim me gazetarë, ambasadori amerikan kishte thënë se shteti amerikan nuk do të angazhohet as për anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare e as për angazhim te shtetet mos njohëse.
“Në këtë moment i kemi kërkuar kryeministrit Kurti në mënyrë që të bëjë deeskalimin e situatës, por ai nuk është përgjigjur në këto kërkesa. Kësisoji, po shqyrtojmë se cilat do të jenë masat tjera. Por, më duhet të them se në këto momente nuk do të gjeni entuziazëm te ShBA-të që të përgjigjen për interesa të Kosovës, siç është angazhimi për shtetet mos-njohëse, apo puna për të avancuar integrimin evropian të Kosovës.”, ka thënë Hovenier