Lajme
Ja çka nuk u pa në konferencën e çuditshme të VV-së për media
Demokracia
18:26 | 04 Shtator 2023

Share:

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka arsyetuar mospjesëmarrjen në seancë të ftuar nga opozita lidhur me librat duke thënë se viti shkollor ka nisur ka filluar me rregull.

Në një konferencë për media të hënën, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se është e papranueshme thirrja e opozitës për seancë lidhur me çështjen e librave.

Sipas tij, vendimi i MAShTI-it për tekstet shkollore ka eliminuar praktikat korruptuese në të kaluarën.

Gola tha se seanca e jashtëzakonshme kishte për qëllim prishjen e deponimit të fëmijëve, andaj sipas tij, partia në pushtet e ka bojkotuar atë.

“Qysh në parashtrimin e çështjes e kemi një cilësim i cili është i papranueshëm për ne, që është dështimi në sigurimin e teksteve shkollore. Meqë ashiqare bëhet fjalë për një vendim të marrë rishtazi nga Qeveria e Kosovës e që kemi të bëjmë me një ndryshim të praktikes të distribuimit, ne ende nuk i dimë implikimet e këtij vendimi për të zhvilluar ndonjë debat të mirë informuar dhe mbi informata të sakta, për shkak se procesi po vazhdon dhe kemi një fillim vit plotësisht në rregull shkollor. Edhe sikurse vitet e kaluara kemi pas vonesë në sigurimin e teksteve shkollore, por meqë ka qenë kështu cdo vit, ne ende nuk e dimë saktë nëse kjo vonesë është për shkak të vendimit të ndërmarrë nga Qeveria apo është për disa shkaqe të cilat kanë qenë evidente edhe në të kaluarën, sepse edhe viteve të kaluara kur ka pas negocim të çmimit, serish kemi pas vonesa të teksteve”, tha Gola.

Gola tha se vendimi i marrë nga ministria synon të transformojë një praktikë sipas tij me plot të meta korruptive në të kaluarën.

“Konsiderojmë se vet pjesëmarrja jonë në një seancë ku cilësohet si dështim, është përligje dështimi, dhe ne kemi refuzuar që të marrim pjesë në këso seanca. Pra, ne duhet të presim epilogun e këtij procesi, si vendim i cili ka ardhur si rezultat i nevojës për të shmangur abuzimet, keq menaxhimet, mungesën e planifikimeve të qëndrueshme në të kaluarën. Gjitha këto të evidentuara qartezi nga organet e pavarura të Republikës së Kosovës, që janë auditimet. Kjo d.m.th që ne duhet të presim zhvillimin e këtij procesi se si do të zhvillohet deri në fund, meqë asgjë të pazakontë, përpos një vendimi i cili synon të transformoje një praktikë me plot të meta korruptive në të kaluarën, në një praktikë e cila mobilizon edhe prindërit përmes subvencionimit që t’i blejnë tekstet e tyre”, tha Gola.

Sipas tij, seanca e sotme kishte për qëllim edhe prishjen e dispononit të fëmijëve në këtë fillim vit shkollor.

“Unë premtoj edhe si kryetar i komisionit, do të diskutohet edhe në komision, pse jo edhe në seancë, mirëpo vetëm pasi ta kemi epilogun e qartë të këtij procesi, në mënyrë që t’i kemi të dhënat edhe nga terreni, si ka shkuar edhe si një praktikë e re, cilat kanë qenë epërsitë, cilat kanë mundur të jenë sfidat, a mund të vazhdojmë vitin e ardhshëm, por jo seanca të cilat zhvillohen përmes cilësimeve arbitrare dhe me pasojë prishjen e deponimit të fëmijëve më një fillim vit shkollor shumë të mbarë. Dhe shpresoj se në seancat e rregullta por edhe të jashtëzakonshmet që mund të organizohen pas fillimit të sesionit dimëror dhe vjeshtor të parlamentit t’i diskutojmë me informata të sigurta të bazuara nga terreni dhe jo me spina dhe propaganda partiake”, tha mes tjerash Gola.

Ndërsa deputetja, Arjeta Rexhepi tha se deri më tani 18 shkolla në vend nuk kanë filluar mësimin për shkak të infrastrukturës dhe jo mungesës së teksteve shkollore.

“Për aq sa na ka njoftuar Ministria e Arsimit, tregon se shkollat në Republikën e Kosovës, të cilat nuk kanë filluar procesin mësimore janë gjithsej vetëm 18 shkolla, dhe arsyeja e mos fillimit të mësimit nuk janë mungesa e teksteve shkollore, por është problemi në infrastrukturë. E në mesin e atyre 18 shkollave, janë shkollat prej komunave më të mëdha, ku qeverisë opozita dhe nuk kanë filluar procesin mësimore, pra nuk kanë qenë të gatshme të kryejnë punimet në infrastrukturë. Ajo ka ndodhur në Komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës. Të quhet se po dështon një reformë substanciale, konsiderojmë se është tendencioze dhe politike…Numri i aplikimeve për rimbursim është rreth 130 mijë aplikues”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, deputeti, Jahja Kokaj ka kritikuar përmbajtjen e teksteve shkollore, sipas tij duhet të punohet në këtë drejtim.

“Si deputet sot nuk kam marrë pjesë në mbledhjen e ftuar, me arsye sepse ishte e ftuar me rendin e ditës, ku ishte fjala dështimi. Nuk marr pjesë aty ku ka dështim…Kur thuhet ka munguar fillimi i vitit shkollor, është e pa saktë, sepse viti shkollor a filluar për së mbari, dhe jemi dëshmitar, se dita parë e shkollës është njoftim i nxënësve me fytyrën e arsimtarit, është njoftim arsimtarit me strukturën, programit, t’i rekomandojë se cilat tekste duhet të përdoren. Gjitha shkollat kanë filluar mësimin për së mbari përveç atyre që kanë pas pengesa që nuk kanë qenë të leshura me tekstet shkollore…Unë kisha me fole një kritik tjetër, faktin se tekstet konsideroj se janë të dobëta, një numër shumë i madh i tyre. Të dobëta edhe në kuptimin strukturor, edhe shkencor dhe pedagogjik e gjuhësor. Andaj, në këtë aspekt duhet të mendojmë të përparojmë”, tha Kokaj.

Mes tjerash, Kokaj ka akuzuar edhe shtëpitë botuese për çmimin me libra.

“Unë dëgjova që në Tiranë një libër ishte 2.2 euro, nuk e di si quhej, kurse në Kosovë 6.3 euro. Shto këtu edhe faktin se përveç tekstit bazë ekziston edhe një tekst suplementarë, fletore e punës. Konsideroj se ka qenë e nevojshme të bëhet një hap dhe ministria ka për tendence që ta bëjë një hap të reformimit, të organizimit të këtillë”, shtoi Kokaj.

Debati parlamentar , i thirrur nga opozita, lidhur me furnizimin me tekste shkollore, ka dështuar si pasojë e bojkotit nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme