Ushtria izraelite ka urdhëruar të dielën evakuimin e më shumë zonave në dhe rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Khan Younis, pasi ka zhvendosur ofensivën e saj në pjesën jugore të Gazës, ku Izraeli po pretendon se më shumë liderë të Hamasit janë fshehur. Shumë nga 2.3 milionë banorët e territorit janë grumbulluar në jug pasi forcat izraelite patën urdhëruar civilët të largoheshin nga veriu në ditët e para të luftës 2-mujore.
Me rifillimin e luftimeve, pas marrëveshjes për lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite të mbajtur nga Gaza dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli, shpresat për një tjetër armëpushim të përkohshëm janë zbehur. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se do të vazhdojnë luftën.
“Ne do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet e saj dhe është e pamundur të arrihen ato qëllime pa operacionin tokësor”, ka deklaruar Netanyahu.
SHBA-ja, aleati më i afërt, e ka paralajmëruar Izraelin që të shmangë zhvendosjet e reja masive. Autoritetet shëndetësore të Gazës kanë bërë të ditur se numri i përgjithshëm i vdekjeve në territor që nga 7 tetori ka tejkaluar shifrën prej 15 mijë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, 70% e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.