Lajme
Izraeli thuhet se ka bërë një “propozim të jashtëzakonshëm” për liderët e Hamasit
Demokracia
10:27 | 23 Janar 2024

Share:

Izraeli ka propozuar që liderët e lartë të Hamasit të largohen nga Gaza si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë armëpushimi.

Kështu së paku kanë thënë për CNN dy zyrtarë të njohur me diskutimet ndërkombëtare në vazhdim, përcjell Telegrafi.

Propozimi i jashtëzakonshëm, i cili nuk është raportuar më parë, vjen pasi Izraeli ka hasur në vështirësi për të arritur qëllimin e tij të deklaruar për të shkatërruar plotësisht Hamasin.

Madje, pavarësisht luftës së tij gati katër mujore në Gaza, Izraeli nuk ka arritur të kapë ose të vrasë asnjë nga udhëheqësit më të lartë të Hamasit në Gaza dhe ka lënë rreth 70% të forcës luftarake të Hamasit të paprekur, sipas vlerësimeve të vetë Izraelit.

Sipas shkrimit, megjithëse do t’u jepte një kalim të sigurt liderëve të lartë të Hamasit që orkestruan sulmin e 7 tetorit nga Gaza, largimi nga Gaza i liderëve të Hamasit mund të dobësonte kontrollin e Hamasit në zonën e shkatërruar nga lufta, duke lejuar gjithashtu Izraelin të vazhdojë të gjurmojë objektivat me vlerë të lartë jashtë vendit.

Zyrtarët e lartë të Hamasit dihet se jetojnë në Doha, Katar dhe kryeqytetin libanez Bejrut, mes vendeve të tjera jashtë territoreve palestineze.

Një sulm ajror izraelit në fillim të këtij muaji vrau një komandant të lartë të Hamasit në Bejrut.

Sugjerimi i Izraelit se liderët e Hamasit mund të largohen nga Gaza, megjithëse nuk ka gjasa të pranohet nga Hamasi, është diskutuar si pjesë e negociatave më të gjera të armëpushimit të paktën dy herë në javët e fundit – një herë muajin e kaluar në Varshavë nga shefi i inteligjencës izraelite, drejtori i Mosadit, David Barnea, dhe më pas përsëri këtë muaj në Doha me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, sipas një zyrtari të njohur me diskutimet.

Lajmi vjen në mes të një stuhie të aktivitetit diplomatik për të arritur një ndërprerje të zgjatur në luftime dhe lirimin e pengjeve që besohet se janë ende të gjallë në Gaza.

Të ngjashme