Lajme
Izraeli po përgatit një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit
Demokracia
15:07 | 21 Maj 2025

Share:

Informacionet e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë se Izraeli po bën përgatitje për të sulmuar objektet bërthamore iraniane, raportoi CNN të martën, duke cituar zyrtarë të shumtë amerikanë të njohur me inteligjencën.

Nuk ishte e qartë nëse udhëheqësit izraelitë kanë marrë një vendim përfundimtar dhe kishte mosmarrëveshje brenda qeverisë amerikane nëse ata do të vendosnin përfundimisht të kryenin sulme, shtoi CNN, duke cituar zyrtarët.

Reuters thekson nuk mundi ta konfirmonte menjëherë raportin ndërsa Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ambasada izraelite në Uashington nuk u përgjigj menjëherë, as Zyra e Kryeministrit izraelit, e cila u kontaktua pas orarit të punës.

Por një burim i njohur me inteligjencën i tha CNN se gjasat e një sulmi izraelit ndaj një objekti bërthamor iranian “janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit”.

Personi shtoi se mundësia e një sulmi do të ishte më e mundshme nëse SHBA-të do të arrinin një marrëveshje me Iranin që nuk do të hiqte të gjithë uraniumin e vendit, shtoi CNN.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka zhvilluar negociata me Iranin që synojnë arritjen e një marrëveshjeje diplomatike mbi programin e tij bërthamor.

Informacioni i ri u bazua në komunikimet publike dhe private nga zyrtarë të lartë izraelitë, si dhe në komunikimet e përgjuara izraelite dhe vëzhgimet e lëvizjeve ushtarake izraelite që mund të sugjeronin një sulm të afërt, raportoi CNN.

CNN citoi dy burime që thanë se midis përgatitjeve ushtarake që SHBA-të kishin vëzhguar ishin lëvizja e municioneve ajrore dhe përfundimi i një stërvitjeje ajrore.

Më herët të martën, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se kërkesat e SHBA-së që Teherani të ndalojë pasurimin e uraniumit janë “të tepërta”, raportoi media shtetërore, duke shprehur dyshime nëse bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore do të kenë sukses.

Të ngjashme