Lajme
Izraeli nuk mund ta mposhtë Hamasin me mjete ushtarake, paralajmëron kryediplomati i BE-së
Demokracia
20:44 | 18 Shkurt 2024

Share:

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Izraeli ka nevojë për një zgjidhje politike, jo ushtarake, për konfliktin me palestinezët.

Ai theksoi se bisedat për paqen në Lindjen e Mesme janë fokusuar në Gaza, ku Izraeli po kryen një fushatë ushtarake që ka vrarë dhjetëra mijëra dhe ka krijuar mbi një milion refugjatë, pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi ndaj civilëve izraelitë.

Por Borrell tha se situata në Bregun Perëndimor, ku jetojnë rreth 3 milionë palestinezë, si dhe qindra mijëra kolonë izraelitë, është të paktën po aq e rëndësishme.

“Po, ne duhet t’i japim fund luftës në Gaza, por Bregu Perëndimor është pengesa e vërtetë për zgjidhjen me dy shtete”, u shpreh ai gjatë një paneli në Konferencën e Sigurisë në Mynih të dielën.

“Bregu Perëndimor po zien”.

Ai paralajmëroi se, nëse OKB-ja detyrohet të ndalojë mbështetjen e palestinezëve në Bregun Perëndimor, “mund të jemi në prag të një shpërthimi më të madh”.

Situata në Izrael dhe Gaza ka qenë një temë kryesore në Mynih, ku shumë politikanë shprehën dyshime për viktimat e shkaktuara nga fushata hakmarrëse e Izraelit, por mbështetën fuqishëm presionin ndaj Hamasit për të kthyer pengjet që kapi më 7 tetor.

“Lirimi i pengjeve, lirimi i këtyre grave është vendimtar, sepse përndryshe nuk mund t’i shpëtojmë kurrë fëmijët në Gaza”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu “mbështetje të palëkundur” për Izraelin.

Në Mynih, presidenti izraelit, Isaac Herzog, u takua me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të diskutuar lirimin e pengjeve.

Borrell ka qenë një nga politikanët evropianë më të hapur për konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, dhe veçanërisht SHBA-ve, të ndalojnë ofrimin e armëve për Izraelin në dritën e numrit në rritje të viktimave civile.

Në konferencën e sigurisë, ai pyeti nëse kishte një hapësirë politike që Evropa të mbështeste një zgjidhje me dy shtete.

Politikanë të tjerë të lartë si David Cameron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete gjatë konferencës së Mynihut.

Të ngjashme