Lajme
Izraeli merr kontrollin e spitalit të Gazës ndërsa OKB-ja paralajmëron për “zi buke”
Demokracia
17:14 | 18 Mars 2024

Share:

Izraeli thotë se ka marrë nën kontroll spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës, pasi nisi një bastisje gjatë natës.

Ushtria izraelite bëri me dije se ka vrarë një personazh të lartë të Hamasit dhe se Hamasi po përdorte spitalin si bazë. Qindra palestinezë të zhvendosur ishin strehuar në spital.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza akuzon Izraelin për një krim lufte dhe duke përdorur “narrativa të fabrikuara”.

Ndërkohë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se uria është “e afërt” në Rripin verior të Gazës.

Një ditë më parë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje Izraelit që të mos nisë ofensivën në Rafah, “në emër të njerëzimit”.

Një pjesë e madhe e popullsisë palestineze është e përqendruar në skajin ekstrem jugor të Rripit të Gazës.

“Jam seriozisht i shqetësuar nga raportet për një plan izraelit për një ofensivë tokësore në Rafah”, shkroi Ghebreyesus në X.

“Një përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës në këtë zonë me popullsi të dendur do të çonte në shumë më tepër vdekje dhe vuajtje. Në emër të njerëzimit, i bëjmë thirrje Izraelit të mos vazhdojë dhe në vend të kësaj të punojë drejt paqes”.

Sipas numrit një të OBSH-së, projekti i evakuimit i planifikuar nga ushtria izraelite nuk do të ishte i zbatueshëm.

“Një milion e dyqind mijë njerëz që janë në Rafah nuk kanë ku të lëvizin”, pa marrë parasysh se “shumë njerëz janë gjithashtu të uritur dhe të sëmurë për t’u zhvendosur përsëri. Kjo katastrofë humanitare nuk duhet lejuar të përkeqësohet”.

Izraeli filloi fushatën e tij në Gaza pasi Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 njerëz në Izraelin jugor më 7 tetor dhe mori peng 253 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 31 mijë e 300 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë.

Të ngjashme