Lajme
Izraeli kësaj vogëlusheje nga Palestina me muaj nuk i lëshoi leje për shërim – vdiq duke pritur
Demokracia
22:58 | 01 Prill 2022

Share:

Një vajzë 19-muajshe nga Gaza ka ndërruar jetë duke pritur që autoritetet izraelite t’i lëshojnë leje familjes së saj për t’u mjekuar për shkak të një vrime në zemër, shkruan Guardian.

Familja palestineze Al-Masri ka pritur pesë muaj për leje nga autoritetet izraelite për t’u larguar nga Gaza dhe për të dërguar vajzën e tyre Fatima për mjekim. Zemra e saj nuk duroi dot dhe Fatima vdiq ndërkohë, përcjellë Demokracia.com.

“Unë gjithashtu do të doja të vdisja. Ata vazhduan të thoshin se po shqyrtonin aplikimin dhe Fatima vdiq ndërkohë. Asgjë nuk mund ta thyejë një njeri më shumë sesa humbja e një fëmije”, tha babai i Fatimas, Xhelal al Masri.

Vajza vdiq një javë më parë dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se bllokada izraelite e Gazës është përgjegjëse për vdekjen e vajzës.

Qendra Al Mezan për të Drejtat e Njeriut, një OJQ palestineze, mori përsipër rastin e Fatimas. Ata dënuan mbylljen e Rripit të Gazës nga Izraeli dhe kufizimet në lëvizjen palestineze, duke përfshirë ndalimin e pacientëve për të pasur qasje në spitalet në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor, Izrael dhe jashtë tij.

Rasti i Fatimas nuk është i vetmi. Mahmoud Shalabi, koordinator i programit për bamirësinë Palestinian Medical Aid në Gaza, tha se bllokada shkatërroi sistemin shëndetësor, duke i lënë spitalet pa ilaçe dhe pajisje dhe se kushtet u përkeqësuan gjatë pandemisë.

“Kushërira ime, e cila vuante nga kanceri, u përpoq të kërkonte kujdes të specializuar në Jerusalemin Lindor, por vdiq duke pritur lejen. Ajo la pas pesë fëmijë të vegjël,” tha Shalabi për Guardian. /Demokracia.com/

Të ngjashme