Lajme
Izraeli ka zgjedhje më 23 mars, ambasada u kërkua të hapej pas krijimit të dy qeverive
Demokracia
17:50 | 15 Mars 2021

Share:

Pjesëtari i komunitetit hebre në Kosovë, Flori Dedoni, në një prononcim për Demokracia.com ka dhënë detaje të padëgjuara rreth zyrtarizimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Dedoni e ka parë si shumë të çuditshme edhe sesi ndodhi hapja e ambasadës nga pala kosovare.

“Ishte dasmë pa krushq. Unë kam informata se shteti izraelit i ka kërkuar Kosovës që të shtyhet hapja e ambasadës deri në themelimin e dy qeverive të reja, meqenëse Kosova mbajti zgjedhjet më 14 shkurt dhe Izraeli do t’i mbajë zgjedhjet më 23 mars. Do të thotë, së pari duhet të vijë presidenti e të dekretohen ambasadorët e dy shteteve. I gjithë ky veprim e ka minimizuar rëndësinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Dedoni për Demokracia.com.

Edhe pse e ngarkuara me punë e dërguar në Jeruzalem për momentin është vetëm, sipas Dedonit, në qoftë se Kosova e merr seriozisht hapjen e ambasadës dhe plotësimin e stafit profesional të saj, si p.sh. diplomatë karriere, atashe ekonomik, atashe të ushtrisë, ndikimi do të jetë pozitiv. Por, ai ka frikë se duke parë jostabilitetin e politikës së Kosovës, nuk do ketë mrekulli në këtë drejtim.

“E vetmja përparësi për Kosovën është mbështetja amerikane e pakusht. Uroj që dhe Izraeli të mos e lë në baltë Kosovën. Por, marrëdhënia ruso-serbe me Izraelin mund të minimizojë aktivitetin e Izraelit në Kosovë. Prandaj, Kosova duhet të punojë shumë në këtë drejtim. Edhe pse BE-ja dhe Lindja janë kundër hapjes se çdo ambasade në Jeruzalem, unë besoj që s’do ketë mangësi në raportet mes Kosovës dhe Lindje-Perëndimit”, ka thënë Dedoni.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në letrën e tij drejtuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kishte ftuar që të merrte pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. /Demokracia.com/

Të ngjashme