Lajme
Izrael: Mbi gjysmë milioni persona kanë marrë dozën e katërt të vaksinës
Demokracia
20:23 | 14 Janar 2022

Share:

Më shumë se 500,000 persona në Izrael kanë marrë dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet.

Izraeli ka nisur dhënien e dozave përforcuese për personat më të cenueshëm ndaj këtij virusi, në muajin e kaluar, dhe më vonë ka përfshirë në këtë kategori edhe të gjithë personat mbi 60 vjeç.

Autoritetet shpresojnë se dozat përforcuese do të ndalin valën e infektimeve të nxitura nga varianti Omicron.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se Izraeli ka 250,000 raste aktive me koronavirus.

Mirëpo, vetëm 317 persona janë shumë të sëmurë.

“Fushata e fundit e vaksinimit ka shënuar një moment historik”, ka thënë kryeministri izraelit, Naftali Bennett, përmes një deklarate.

“Faleminderit gjysmë milioni izraelitëve që kanë marrë dozën e katërt të vaksinës dhe kështu na kanë ndihmuar të gjithëve që të jemi më të sigurt”.

Izraeli ka qenë një prej shteteve të para që ka nisur fushatën e vaksinimit vitin e kaluar, përfshirë edhe dhënien e dozës së tretë të vaksinës.

Gati gjysma e popullsisë ka marrë të paktën një dozë përforcuese.

Prej shpërthimit të pandemisë, ky shtet me gati 9.5 milionë banorë ka regjistruar 8.298 vdekje me koronavirus.

Të ngjashme