Lajme
Izolimi i kryeministrit nga ShBA dhe BE | Rrugëve të New Yorkut, Kurti ecën i vetëm dhe i trishtuar
Demokracia
09:04 | 28 Shtator 2024

Share:

New Yorku, ky qytet madh, i miliona banorëve dhe kryeqendër e zhvillimeve të politikës ndërkombëtare për shkak të selisë së OKB-së, kësaj radhe ishte tepër i ngushtë dhe i vogël për kryeministrin e izoluar të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.

Që nga 25 shtatori, kreu i qeverisë kosovare po qëndron në ShBA, por si kurrë më parë ai ka ndjerë izolimin e madh nga liderët dhe zyrtarët e lartë të shteteve të fuqishme perëndimore, përfshirë edhe ata amerikanë, shkruan Demokracia.com.

Udhëtimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është bërë me qëllim të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

SANKSIONET SHTRIHEN DERI NË NEW YORK

Sanksionet e Bashkimit Evropian të qershorit të vitit 2023, kanë arritur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Izolimi i liderëve kosovarë, veçanërisht i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është vërejtur edhe gjatë ditëve të para të vizitës së tij.

Kryeministri Kurti nuk ka arritur që të takojë asnjë zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe apo Italisë, shtete këto që përbëjnë boshtin kryesor të politikës ndërkombëtare perëndimore.

Me 25, 26 dhe 27 shtator, Kurti ka takuar kryeministrat e Kroacisë, Grenadës, Vanuatus, Samoas, Greqisë, Andorrës, Islandës, Lihtenshtajnit, ministrat e jashtëm të Singaporit dhe Luksemburgut, princin e Kuvajtit, një drejtore në Fondin Monetar Ndërkombëtar, një administrator në UNDP dhe sekretarin e selisë së shenjtë të Vatikanit.

Zyrtarët e vetëm amerikanë dhe evropianë që Kurti ka arritur të takoi gjatë këtyre ditëve, ishin Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, i shoqëruar nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak.

Me Kurtin ishte paralajmëruar më herët që flasin vetëm për temën e dialogut dhe deeskalimit në veri. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Të ngjashme