Lajme
I’u gjetën të fshehura rreth 17 mijë euro, procedohet penalisht një 48 vjeçar
Demokracia
16:57 | 17 Nëntor 2022

Share:

Një 48 vjeçar u procedua penalisht, pasi iu gjetën të fshehura 16 mijë e 670 euro të padeklaruara, në Portin e Durrësit.

“Shërbimet e PKK Port Durrës, në kuadër të kontrolleve të pandërprera për goditjen e paligjshmërive në kufi, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin furgon, me drejtues shtetasin F. V. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në automjetin që drejtonte ky shtetas dhe sekuestruan 16 670 euro, të padeklaruara nga 48-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.”, bëri të ditur Policia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori dhe siç informoi Policia, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. V., 48 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme