Lajme
Iu dogj dy herë vetura| Jep dorëheqje drejtori i Auditimit në SHSKUK
Demokracia
13:07 | 08 Gusht 2023

Share:

Musa Vitija ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Njësisë të Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta ka mësuar se Vitija nuk është kthyer nga pushimi pa pagesë dhe ka njoftuar SHSKUK-në se ka dhënë dorëheqje nga pozita. Siç ka mësuar Gazeta Vitija nuk është kthyer në punë për shkak se nuk është ndier i sigurtë.

Ai është ankuar se SHSKUK nuk i ka ofruar siguri pas djegies së dy veturave vitin e kaluar. Gazeta ka tentuar të kontaktojë me Vitinë, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Në gusht dhe tetor të vitit të kaluar dy vetura të Vitisë u dogjën në parkingun e veturave afër objektit të administratës qendrore të SHSKUK-së. Për këtë rast ende nuk ka ndonjë të dyshuar ose të arrestuar nga organet e drejtësisë.

Pas djegies së veturës së dytë të Vitisë, në SHSKUK shkoi edhe kryeministri Albin Kurti. Ai e kishte lavdëruar Vitinë për raportet e auditimit të cilat përfunduan me arrestimin e disa zyrtarëve të IT-së në QKUK.

Ndërkaq Kurti kishte akuzuar për dështim në punën e tyre dy kompani të kontraktuara nga QKUK.

“Dy kompanitë, ‘Security Code’, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe ‘Quantic’, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga ‘vetëtima’”, shkruante Kurti vitin e kaluar.

Të ngjashme