Lajme
Italia në krah të vendeve evropiane, do të dëbojë 30 diplomatë rusë
Demokracia
16:01 | 05 Prill 2022

Share:

Italia është renditur në krah të vendeve të tjera evropiane që kanë njoftuar dëbimin nga vendet respektive të diplomatëve rusë.

“Për motive sigurie kombëtare kemi dëbuar 30 diplomatë rusë”, ka deklaruar këtë të martë ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, Luigi Sequi, nën direktivat e ministrit Di Maio ka thirrur sot në selinë e Ministrisë italiane, Ambasadorin rus, Sergey Razov, të cilit i ka komunikuar vendimin e shpalljes “non grata” të 30 diplomatëve rusë në shërbim pranë Ambasadës ruse në Romë.

“Kjo masë, – ka deklaruar ministri Di Maio , – është marrë në dakordësi me partnerët evropianë e atlantikë, për motive të sigurisë kombëtare e në kontekstin e krizës aktuale, si pasojë e sulmit të pajustifikuar ndaj Ukrainës nga ana e Federatës Ruse”.

Rusia tha e do t’i përgjigjet vendimit të Italisë në bazë të parimit të reciprocitetit: zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova njoftoi sot, cituar nga “Ria Novosti”: “Rusia do të japë një përgjigje të përshtatshme”, – tha ajo.

Një vendim i tillë vjen si pjesë e veprimit të përbashkët evropian, pas pushtimit rus të Ukrainës. Një ditë më parë, Gjermania, Spanja, Suedia dhe Franca njoftuan se do të dëbonin diplomatë rusë nga vendet e tyre.

Në mbarë Evropën ka pasur reagime të ashpra ndaj vrasjeve të civilëve në Buça, qytet në afërsi të Kievit, ku sipas fotografive dhe videove të publikuara, civilët e vrarë shihen të shtrirë nëpër rrugët e këtij qyteti. Për Kremlinin, masa të tilla demonstrojnë “mungesën e largpamësisë” evropiane.

Të ngjashme