Lajme
Italia i kërkon Izraelit që t’i ndalë operacionet ushtarake në Gaza
Demokracia
09:02 | 17 Prill 2024

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, të mërkurën i bëri thirrje Izraelit që t’i ndalë operacionet ushtarake në Gaza, duke e përsëritur qëndrimin se është koha për armëpushim në enklavën palestineze.

Italia fillimisht i kishte mbështetur veprimet e Izraelit pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, por rishtazi e ka zbutur përkrahjen për këtë shtet pas vdekjes së mijëra civilëve, raporton agjencia “Reuters”.

Në një intervistë me të përditshmen “La Stampa”, Tajani theksoi se lufta në Gaza është nxitur nga sulmi “barbar” i Hamasit.

Kryediplomati italian pastaj shtoi: “Megjithatë, tani nevojitet një armëpushim. Izraeli duhet t’i ndalë operacionet ushtarake që e kanë prekur në mënyrë masive popullsinë palestineze”.

Intervista me zyrtarin e lartë u zhvillua para një takimi të ministrave të jashtëm të Grupit G7 që do të organizohet nga Tajani në ishullin italian, Capri. Italia aktualisht e ka presidencën e përkohshme të Grupit G7.

Të ngjashme