Agjencia e njohur “Big 7” ka bërë një listë prej 50 ishujve më të mirë në botë, dhe ishulli Flatey pozicionohet në krye të kësaj liste, duke i lënë pas vendet më të njohura si Bali dhe Barbados.
Ishulli Flatey një ishull pa makina dhe me vetëm 6 banorë, ndodhet në vijën veri-perëndimore të bregdetit të Islandës.
Rezultati u vendos bazuar në vlerësimet e turistëve, reportazhet e mediave dhe nga eksperienca e përjetuar e vetë stafit gjatë udhëtimit.
Edhe pse ‘Flatey’ është i qetë në dimër, numri i vizitorëve pëson një rritje graduale prej 9 mijë vizitorësh në verë, teksa njerëzit qëndrojnë në shtëpitë e pushimit me pamje të mrekullueshme natyrore.
Në ishull mund të mbërrish vetëm nëpërmjet një trageti, i cili niset nga qyteti i Stykkishólmur dhe teksa ndodhesh atje përballesh me të vetmin hotel që ndodhet në ishull.
Ishulli është i njohur për bukurinë e tij të mahnitshme dhe librarinë, e ndërtuar në vitin 1864, e cila është më vjetra në Islandë.
Në të gjithashtu ndodhet edhe një kishë, që daton nga viti 1926, me afreske të piktuara nga Kristjana dhe Baltasar Samper.
Flatey mund të jetë i vogël nga sipërfaqja, por i pasur me biodiversitet. Ishulli gjithashtu ka mbi 230 lloje të bimëve me gjethe, siç raportohet nga UNESCO.
Agjencia “Big 7” një nga më të vlerësuarat për vendet që sugjeron shprehet për ishullin Flatey me këto fjalë: “Në një mënyrë atraktive, ndihesh sikur je në setin e një filmi”.
Natyra e Flatey dhe mungesa e inovacioneve moderne, si makinat, thuhet se i bën vizitorët të ndjehen sikur janë kthyer mbrapa në kohë. /Demokracia.com/