Lajme
“Ishte e tëra e mbuluar në gjak”, Shefi i Urgjencës jep detaje për gruan që u gjet e vdekur në Prishtinë
Demokracia
15:04 | 04 Janar 2023

Share:

Një grua është gjendur pa shenja jete pasditen e së mërkurës në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka folur shefi i Urgjencës, Avdyl Pacolli, i cili ka dhënë detaje se si është gjetur viktima.

Pacolli ka deklaruar se bëhet fjalë për një grua të moshës 25-30 vjeç, e cila u gjet në korridorin e katit të dytë të banesës dhe ajo ishte e gjitha e mbuluar në gjak.

Sipas tij, nuk janë gjetur plagë të cilat mund t’i jenë shkaktuar nga plumbi.

“Bëhet fjalë për një person të gjinisë femërore, diku 25-30 vjeçare. Në momentin kur ekipa ka shku e ka gjetur atë pa shenja jete. E ka gjetur në holl të banesës. Në holl të katit të dytë, të banesës. Ekipa mjekësore me të konstatuar vdekjen e ka thirrë shërbimin policor. Gjakderdhje ka pasur, por që plumb diçka nuk më thanë ekipa. Protezat jashtë gojës, po masa gjaku po”, ka thënë Pacolli për Nacionalen.

Lajmin për Demokracinë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

E njëjta ka njoftuar se e ndjera është gjendur e shtrirë në afërsi të një objekti.

“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, të shtrirë në afërsi të një objekti në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër)”, ka bërë të ditur Ahmeti.

“Aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, njofton tutje ajo. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme