Lajme
Ishte dënuar pasi nuk respektoi organet e drejtësisë, Kurti ankohet për gjobën 250 euroshe
Demokracia
19:04 | 11 Prill 2025

Share:

Mediumi KOHA ka raportuar se kryeminsitri në  detyrë, Albin Kurti, është ankuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës për gjobën 250 euroshe që ia ka shqiptuar kjo gjykatë në fillim të muajit pasi nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale kryetarja e gjykatës e ka për obligim që ta caktojë një kolegj prej tre gjyqtarëve për ta trajtuar këtë ankesë. Në gjykatë nuk kanë treguar se deri ku ka shkuar trajtimi i ankesës.

Kurti ishte gjobitur me 250 euro pasi kërkonte që prokuroria t’i shkonte në zyrë të kryeministrit. Ai ishte ftuar të dëshmonte lidhur me dyshimet në rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë prokurimit për furnizim me produkte për rezervën shtetërore.

Neni 132 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale parasheh që gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet për të dhënë dëshmi.

E nëse dëshmitari nuk paraqitet, ky kod e parasheh që gjyqtari e dënon dëshmitarin me gjobë deri në 250 euro për çdo mosparaqitje.

E nëse dëshmitari nuk dëshmon edhe pasi të dënohet me gjobë, atëherë mund të burgoset deri në një muaj – burgim që ndërpritet në momentin kur fillon të dëshmojë.

Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë dhe ka thënë se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar atë që të dëshmojë në prokurori.

Të ngjashme