Lajme
“Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, fjalimi emocionues i Jakup Krasniqit në paraqitjen e parë në Hagë
Demokracia
19:30 | 05 Nëntor 2023

Share:

Sot janë bërë tri vjet që ´kur katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po mbahen në Hagë.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprak, u deklarua i pafajshëm për aktakuzën që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij.

“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, tha Krasniqi gjatë paraqitjes së parë, shkruan Demokracia.com.

Krasniqi, para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.

“Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, tha Krasniqi gjatë një fjalimi para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar.

Ai shtoi se “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është “koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit”.

Krasniqi u ankua edhe për trajtimin që po i bëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Unë jam arrestuar më 4 nëntor. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë”, tha ai.

Krasniqi, që ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ka lexuar aktakuzën ndaj tij dhe se e kupton atë.

“Mua më është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta mbaj këtë padrejtësi. Unë dhe populli im kanë mbajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi”, tha Krasniqi para Dhomave të Specializuara.

Sipas Krasniqit, adresa e “kësaj maskarade është në Beograd dhe mbështetësit e politikave të tij”.

Të ngjashme