Lajme
Ish-zyrtari policor lirohet nga akuza për tre vepra penale të marrjes së ryshfetit
Demokracia
22:01 | 27 Prill 2022

Share:

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur të pafajshëm ish-zyrtarin policor Sllavisha Vukojeviq, i cili akuzohej për kryerjen e tre veprave penale të marrjes së ryshfetit.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj.

Sipas aktgjykimit, bazuar në nenin 364 par. 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës i akuzuari Vukojeviq lirohet nga akuzat për të tre pikat e aktakuzës, në lidhje me veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ndërsa, shpenzimet e procedurës u konstatua se bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës, kurse palët e dëmtuara për paraqitjen e kërkesës pasurore juridike u udhëzuan në kontest civil.

Gjyqtari Hajraj konstatoi se sa i përket pikës së parë të aktakuzës është dëgjuar i dëmtuari-dëshmitari Branko Pllavshiq i cili në shqyrtimin e kaluar gjyqësor kishte deklaruar se nuk e njihte të akuzuarin, dhe mbi këtë bazë e ka liruar nga kjo pikë e akuzës.

Ndërsa, sa i përket pikës së dytë dhe të tretë të aktakuzës gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor vetëm janë lexuar deklaratat e të dëmtuarve dhe meqenëse të akuzuarit nuk i është dhënë asnjëherë mundësia t’i kontestojë të njëjtat dhe për faktin se këto deklarata kanë qenë provat e vetme, i akuzuari është liruar edhe nga këto dy pika të aktit akuzues.

Paraprakisht, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ku u administruan disa prova dhe u dhanë fjalët përfundimtare nga palët.

Gjyqtari Hajraj deklaroi se në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit-dëshmitarët Zahit Ibrahimoviq dhe Ivan Radulloviq.

Për të parin gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje më detyrim në gjykatë në cilësi të dëshmitarit, por Stacioni Policor në Leposaviq nuk ka njofuar gjykatën lidhur me mos ekzekutimin e kësaj urdhërese.

Ndërsa, për të dëmtuarin-dëshmitarin Ivan Radulloviq u konstatua se nuk ka qenë asnjëherë i qasshëm për gjykatën, meqenëse i njëjti jeton në Novi Pazar të Serbisë dhe ftesat i janë dërguar përmes postës por fletë-kthesat nuk janë kthyer, nuk mund të konstatohet nëse i njëjti e ka pranuar ftesën me rregull.

Ndërsa, i dëmtuari-dëshmitari Branko Pllavshiq është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Tutje, në mbështetje të nenit 338 par. 1.1 të KPPK-së u lexuan deklaratat e dy të dëmtuarve-dëshmitarëve Zahit Ibrahimoviq dhe Ivan Radulloviq dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës si dhe u lexua deklarata e të dëmtuarit Branko Pllavshiq i cili nga gjykata është dëgjuar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Tutje, i akuzuari Sllavisha Vukojeviq pas konsultimit edhe me mbrojtësin e tij, avokatin Gani Rexha zgjodhi të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare prokurori Sahit Tmava konstatoi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës pasi që nga provat e nxjerra, duke filluar nga deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve Zahit Ibrahimoviq, Ivan Radulloviq dhe Branko Pllavshiq, rezulton se i akuzuari së bashku edhe me Radosllav Pavlloviqin kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen sipas aktakuzës.

Prokurori Tmava shtoi se nga deklaratat e të njëjtëve rrjedh se i akuzuari ka qenë në detyrë zyrtare si person zyrtar dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitim material nga të dëmtuarit.

Ndërsa i njëjti deklaroi se i propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe ta dënojë sipas ligjit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese të caktuara.

Ndryshe, mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Vukojeviq, avokati Gani Rexha në fjalën përfundimtare deklaroi se me asnjë provë materiale nuk është vërtetuar fajësia e të akuzuarit, se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Sipas tij, kjo u vërtetua me dëgjimin e dëshmitarit Branko Pllavshiq në shqyrtimin e kaluar gjyqësor pasi i njëjti tha se nuk e njeh fare të pandehurin, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, sa i përket deklaratave të dy të dëmtuarve-dëshmitarëve tjerë avokati Rexha deklaroi se gjykata nuk duhet t’ua kushtojë besimin e plotë nga e vetmja arsye se të mbrojturit të tij kurrë nuk i është dhënë mundësia që këto deklarata ti kundërshtoj.

Meqenëse këto deklarata nuk kanë kurrfarë vlere juridike, mbrojtja i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta lirojë nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 25 korrik 2014, Slavisha Vukojeviq, po akuzohet për kryerjen e tre veprave penale të marrjes së ryshfetit.

Ai akuzohet se më 20 janar 2013, në Leshak, Komuna e Leposaviqit, si person zyrtar në Policinë e Kosovës, së bashku me të pandehurin Radosllav Pavlloviq, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar përfitim material që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Slavisha Vukojeviq, të dëmtuarin Branko Pllavshiq, e ka ndalur dhe i ka kërkuar dokumentet e automjetit, e pasi që i dëmtuari nuk i ka pasur, i është drejtuar me fjalët “do ta shkruaj dënimin prej 80 euro dhe do ta dërgojë në Vushtrri të flejë nëse nuk i jep 20 euro”.

Përveç kësaj, në pikën II të aktakuzës, Slavisha Vukojeviq akuzohet se më 28 janar 2013, në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në pozitën e zyrtarit policor, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim material nga i dëmtuari Zahit Ibrahimoviq, i cili ka qenë me kamion duke transportuar bagëti, ku thuhet se i njëjti ua ka treguar dokumentet e nevojshme të Agjencisë së Ushqim dhe Veterinarisë, por se i akuzuari Vukojeviq së bashku me të pandehurin Pavlloviq, i kanë thënë se ato nuk vlejnë dhe i kanë kërkuar dhe kanë marrë 120 euro.

 

Ndërkaq, në pikën III të aktakuzës, Slavisha Vukojeviq, po akuzohet se më 13 shkurt 2013, në fshatin Postenjë, Komuna e Leposaviqit, në bashkëveprim me të pandehurin Radosllav Pavlloviq, të dëmtuarin Ivan Radulloviq të cilit i kishte kaluar regjistrimi, e kanë ndalur dhe i kanë kërkuar 10 euro. Në këtë pikë të aktakuzës, thuhet se përveç kësaj, i akuzuari Vukojeviq ka tentuar që nga i dëmtuari në fjalë të marrë një paketim me pashteta prej 15 copësh.

Me këtë, Slavisha Vukojeviq, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, po ngarkohet për kryerjen e tre veprave penale të marrjes së ryshfetit, nga neni 428, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sa i përket përfshirjes së të akuzuarit tjetër në këtë rast, Radosllav Pavlloviq, procedura penale ndaj tij ishte zhvilluar ndaras dhe ai nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në qershor të vitit 2017,  në mungesë të provave është liruar nga akuza

Të ngjashme