Sport
Ish-sulmuesi kosovar “shpërthen” ndaj Challandesit: Si ka mundësi të ftohen futbollistët me tetë minuta lojë kurse “golgeteri” i Superligës jo, Ujkani nuk ka çfarë kërkon më te Kosova
Demokracia
16:50 | 17 Mars 2021

Share:

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar gjatë ditës së sotme listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit mars.

“Dardanët” do të përballen me Lituaninë në një miqësore, e më pas me Suedinë dhe Spanjën në eliminatoret e Kupës së Botës, shkruan Demokracia.com.

Në këtë listë, Challandes ka ftuar vetëm tre sulmues.

Atdhe Nuhiu, Vedat Muriqi dhe Benjamin Kololli janë futbollistët e ftuar për fazën e sulmit.

Por, ajo që bie në sy është mungesa e “bomberit” të Ballkanit, Mirlind Daku.

Sulmuesi gjilanas ka shënuar 25 gola në Superligën e Kosovës këtë ediicon, por prapë se prapë nuk e ka marrë “bekimin” e Challandesit.

Këtë zgjedhje të Challandesit e ka komentuar edhe ish-sulmuesi i njohur kosovar, Berat Hyseni.

Hyseni që ka bërë karrierë te Prishtina, Trepça dhe Tirana, ka deklaruar për Demokracia.com se është momenti që Daku të jetë në këtë listë.

“Unë mendoj se kompetencat e tij si trajner duhet t’i shtrojë në vlerën e golit. Sa i përket sulmit, besoj se Nuhiu është një sulmues i mirë dhe të tjerët që janë ftuar, por ka ardhur koha që Mirlind Daku të jetë aty sepse ka shënuar 25 gola në gjysmë të kampionatit pa ato të kupës”, ka thënë Hyseni, duke vazhduar:

“Mos të nënvlerësohet kampionati i Kosovës deri në këtë shkallë se edhe lojtarët tjerë kanë dalur nga ky kampionat dhe tani gëzojnë një karrierë të mirë”.

Tutje, ish-sulmuesi i Prishtinës thotë se sulmues si Daku vështirë të gjendet në rajon.

“Trajneri (Challandes) duhet të jetë më i hapur dhe tv mendojë për të ardhmen e Kosovës dhe jo ta anashkalojë ‘golgeterin’ që në rajon apo Ballkan nuk ka ndonjë lojtar që ka bërë atë që Mirlindi e ka bërë. Besoj se është dashur ta ftojë dhe të jetë pjesë e grupit pasi është stimulim për karrierën e tij”, tregon ai.

Hyseni ka kritikuar Challandesin duke thënë se po ftohen futbollistët që nuk kanë minutazhë në skuadrat e tyre.

“Mos të marrin futbollistë që luajnë jashtë Kosovës e që qëndrojnë në stol një edicion të plotë që as në ndeshjet mes vete nuk i inkuadron trajneri dhe pse të kenë ata privilegj që luajnë nga tetë minuta e mos të ketë ‘golgeteri’ i ligës. Besoj se Daku i plotëson të gjitha kushtet të jetë pjesë e Kosovës A”, theksoi Berat Hyseni.

Për fund, ish-futbollisti kosovar potencon se te Kosova nuk duhet ftuar as kapiteni Samir Ujkani si “portier nderi”.

“Në repartet tjera, duhet të përtrihet Samir Ujkani, nuk ka pse me qenë aty në listën e portierëve. Nuk është Kosova për ‘portier nderi”, deklaroi të mërkurën Berat Hyseni. /Demokracia.com

Të ngjashme