Ish-sulmuesi i Italisë, Francesco Flachi u rikthye në fushë dje me skuadrën e Eccellenza Signa, duke luajtur ndeshjen e tij të parë pas përfundimit të një ndalimi 12-vjeçar për kokainë.
46-vjeçari ishte nën kontratë me Sampdorian në vitin 2007, kur u ndalua për dy vjet pasi rezultoi pozitiv për kokainë. Blucerchiati ndërpreu kontratën e tij dhe Flachi u kthye në fushë dy vjet më vonë, njoftojnë mediat italiane, përcjell Demokracia.com.
Megjithatë, pas mezi gjashtë muajsh me Brescian, ai doli sërish pozitiv për kokainë dhe mori një ndalim 12-vjeçar, i cili u ndërpre disa javë më parë.
Ish-sulmuesi u rikthye sërish në fushë dje duke luajtur me skuadrën e Eccellenza Signa.
Eccellenza është një ligë joprofesionale dhe divizioni i pestë në Itali. Flachi filloi lojën dhe luajti 30 minuta, sipas marrëveshjes me trajnerin e tij Enrico Cristiani.
“U ndjeva i trullosur para ndeshjes, nuk kam fjetur prej një jave për shkak të emocioneve”, tha Flachi pas fishkëllimës së fundit.
“Jam shumë i lumtur tani dhe dua të falënderoj të gjithë ata që po më bëjnë të ndihem sërish futbollist”.
“Udhëtimi sapo ka filluar, të shohim se çfarë do të ndodhë. Në maj do të filloj një kurs stërvitor”. /Demokracia.com/