Ish-agjenti i nivelit të lartë në FBI Charles McGonigal është vënë nën hetim nga prokurorët federalë për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveritë e tjera të huaja. I pyetur në lidhje me artikullin e Businessinsider ku përmendet edhe emri i Kryeministrit Edi Rama, ky i fundit në konferencën e kësaj të shtune ka deklaruar se e ka mik ish-agjentin e FBI-së. Rama shtoi se çështja me drejtësinë është një çështje që i përket atij në SHBA, ndërsa bëri thirrje që të pritet vendimi i drejtësisë në lidhje me hetimet.
“Shefi kundër terrorit në FBI, ka qenë dhe është miku im, por nëse ai ka një çështje të tijën në SHBA me drjejtësinë është çështja e tij. Lini drejtësinë atje të flasë. Akuzat nuk mund të bëhen në këtë farë feje. Është e tmerrshme për këtë popull me këto akuza. Bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA dhe nuk ka asnjë lidhje me mua apo qeverinë shqiptare. Nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, tha Rama.
Ish-agjenti i nivelit të lartë të FBI-së, i cili ishte i përfshirë në hetimin për kontaktet e fushatës së Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, është vënë vetë nën vëzhgimin e prokurorëve federalë për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveritë e tjera të huaja.