Kryetari Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani është shprehur i bindur se këtë vit kosovarët do ta fitojnë liberalizimin..
Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka thënë se ka filluar të ndryshohet imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare edhe tek ato shtete që kanë qenë skeptike për liberalizimin e vizave.
Aplikimin në këshillin e Evropës, Agani po e sheh veprim të duhur nga Qeveria.
“Jemi në rrugën e duhur dhe nuk dua të humb fjalë duke folur se sa e padrejtë ka qenë bashkësia evropiane në relacion me Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave të cilat janë duke u shtyrë nga vitit në vit. Mendoj se mund të presim lajme të mira në muajt që vijnë. Unë shpresoj që ky vit do të jetë viti kur qytetarët e vendit do të fillojnë të lëvizin lirshëm në hapësirën evropiane. Sa i përket këshillit të Evropës mendoj se ka qenë veprim i duhur i qeverisë që ka aplikuar. Ka rezerva natyrisht por mendoj që këto pengesa që i kemi përpara duhet përballuar me punë, e angazhim. Krahas angazhimit të madh në arenën ndërkombëtar e të cilën duhet realizuar është e rëndësishme të kemi një shkallë të lartë të konsensusit me subjekte tjera politike të partisë në pushtet”, tha Agani në një intervistë për Ekonomia Online.
Ndërsa sa i përket dialogut, Agani tha se pozita e Kosovës në relacion me Serbinë është dukshëm më e favorshme sesa që ka qenë para ardhjes së qeverisë në pushtet.
“Sa i përket ngecjeve të qeverisë në dialog unë mendoj se në këtë aspekt mund të jemi të kënaqur sepse pozita negociatore e Kosovës në relacion me Serbinë është dukshëm më e favorshme sesa që ka qenë para ardhjes së qeverisë në pushtet. Dhe mendoj se në periudhën e ardhshme është e nevojshme që me faktorët ndërkombëtar ShBA-në të arrihet edhe një shkallë më e lartë e konsensusit brenda vendit. Kjo është një prej mangësive të qeverisë sepse nuk po shoh që po arrijnë me gjenerua një shkallë të lartë të konsensusit lidhur me tema të mëdha që kanë të bëjnë me reforma të rëndësishme në shoqërinë tonë”, tha ai.