Lajme
Çollaku: Kurti po i refuzon marrëveshjet e Brukselit me qasje populiste në raport me elektoratin
Demokracia
16:33 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Ish-ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, ka deklaruar në Euronews Albania se Albin Kurti duhet të ndryshojë strategji, në mënyrë që të fitojë pikë gjatë dialogut Kosovë-Serbi.

Çollaku ka thënë se diskursi i bisedimeve duhet të ndryshojë, që të mund të gjejnë zbatim marrëveshjet në terren. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës thotë që asosacioni mund të themelohet, por gjithmonë duke e ruajtur frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka thënë ish-ministri Çollaku.

Sipas tij, refuzimi i Qeverisë Kurti për zbatimin e asociacionit, më shumë mund të shihet nga perspektiva dhe qasja e tij populiste në raport me elektoratin sesa një kundërshtim në interes shtetëror të Republikës së Kosovës.

Asosacioni siç është menduar të themelohet, sipas Çollakut, nuk paraqet asgjë tjetër përveçse një organizatë jo-qeveritare, e cila do të ketë funksionin e njëjtë si asosacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës.

“Gjëja kryesore që e kemi bërë atëherë është se kurdo që të hartohet draft-statuti i këtij asociacioni, i njëjti duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese që të trajtohet nëse është në përputhje me Kushtetutën. Kjo është garanca më e lartë që kemi. Përveç kësaj, ne kemi marrë qysh atëherë edhe një letër garantuese nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, zonja Mogherini, që udhëhiqte atëherë me procesin, që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, u shpreh Çollaku.

Ish-ministri Bekim Çollaku, që kohë të gjatë shërbeu edhe si këshilltar i Hashim Thaçit, e konsideron fatkeqësi që Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me shumë paradigma populiste, të cilat fatkeqësisht nuk po i ndryshon edhe më tutje. “Nga perspektiva e BE-së, Kosova do të konsiderohet si faktor bllokues në përparim sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kryediplomatin evropian Josep Borrell dje kishin replika me njëri-tjetrin lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme