Lajme
Ish-ministri gjerman: BE-ja t’i mbajë premtimet, Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave
Demokracia
12:47 | 23 Prill 2022

Share:

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet dhe Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.

Roth në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të lihen anash, pasi që siç tha ai, Rusia është duke destabilizuar këtë rajon, përcjell Demokracia.com.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ndihen të lënë pas. Rusia është gjithashtu duke destabilizuar në këtë rajon. BE-ja më në fund duhet të mbajë premtimet e saj. Do të nisin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, të jepet liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka shkruar Roth.

Kujtojmë se ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, i kanë kërkuar, ditë më parë, shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, që në mënyrë urgjente të fusë në rend dite Ballkanin Perëndimor në takimin e radhës së Këshillit të Çështje të Jashtme, duke e cilësuar këtë rajon si me rëndësi të veçantë.

Në një letër dërguar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, këto shtet thanë se duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, duhet që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, gjatë prillit të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor.

Ministrat thanë se “përderisa vetëm disa javë kanë kaluar nga diskutimi ynë i fundit për Ballkanin Perëndimor, situata gjeopolitike ka përjetuar një ndryshim të madh për shkak të agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës”.

“Duhet të kemi një pikëpamje të re ndaj çështjeve si nisja e shpejt e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjetjen e rrugës për përshpejtimin e negociatave, që janë në vazhdim e sipër, të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, të avancojmë me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të mbështesim konsolidimin e unitetit të Bosnjë e Hercegovinës që të marrë statusin kandidat”, kanë shkruar pesë ministrat e Jashtëm të BE-së./Demokracia.com/

Të ngjashme