Ish-kryetari i Gjykatës Supreme në Kosovë, Fejzullah Hasani, po e vlerëson Vetingun si një iniciativë të domosdoshme.
Ai ka dilema për profesionalizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe kërkon që reforma më e madhe e sistemit të drejtësisë në Kosovë të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hasani ka thënë se gjyqtarët e prokurorët, kanë mungesë të dijes.
“Për gjykimin tim, vetingu eventual, duhet të fokusohet veçanërisht tek profesionalizmi i bartësve të këtyre funksioneve ( gjyqtarë dhe prokurorë), ngase më duhet ta them, se kemi numër shumë të vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që posedojnë dije optimale profesionale. Mungesa e profesionalizimit, komprometon këto institucione , humb besimin e qytetarëve, dëmton rëndë të drejtat e qytetarëve, ngase pa hak ata persekutohen me vite në procese gjyqësore dhe në fund lirohen nga akuzat e tilla fiktive, të mbështetura në supozime dhe hamendsime të prokurorëve të tillë”, ka thënë Hasani.
“Jemi dëshmitar të proceseve të gjyqësore që kanë shkaktuar shqetësime tek qytetarët , ngase prokurorët me defiqenca në dijen e tyre profesionale, ngrisin akuza të tilla pa asnjë provë, gjyqtarët po me të njëjtin nivel të dijes, njëherë i lirojnë nga akuza në mungesë të provave , pastaj në rigjykim , po me ato prova, shqiptojnë dënime dhe kështu vazhdon odiseada procedurale, duke rrugëtuar në një rreth vicioz ( prishje, rigjykim, gjykim i njëjtë ), deri sa përfundimisht mbyllet me një aktgjykim lirues nga instanca e fundit gjyqësore. Në rrethana të tilla, palët e përfshira në proces dhe qytetarët (laik të këtyre fushave), kanë të drejtë me ndërtuar lloj lloje hipotezash (se është blerë drejtësia, se ka korrupsion etj)”, tha ish-kryetari i Supremes.
Ai ka bërë të ditur se që nga viti 2000, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk është larguar nga puna për gabimet që mund të kenë bërë.
“Nga viti 2000 e deri më tani, asnjë gjyqta , asnjë prokuror, nuk është shkarkuar për mungesë të profesionalizmit, e që rezulton se ne jemi kampion në të gjitha vendet e regjionit dhe më larg, për profesionalizim?. Në vendet ku në këto institucione , ka profesionalizëm, është lehtë të futesh, është letë të zgjidhesh , por është vështirë të mbijetosh, nëse nuk tregon profesionalizëm dhe gabimet elementare aty nuk falen , ndërsa tek ne është e kundërta, ka procedura të komplikuara për t’u zgjidhur në këto pozita , vështirë futesh por edhe vështirë ose fare e pamundur të largohesh, pavarësisht di apo nuk di”, tha ai.
Sipas tij, me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, vendimet e gjykatave mund t’i kushtojnë shtetit.
“Ne së shpejti do jemi anëtarë të Këshillit të Evropës , ku qytetarët do legjitimohen për ankesa në gjykatën e Strasburgut , nëse urgjent nuk bëhet një veting dhe nuk largohen nga këto pozita, ata të cilën nuk posedojnë dije elementare profesionale, atëherë Shteti i Kosovës do ballafaqohet me ndëshkime të shumta , që do të detyrohet t’u paguaj qytetarëve, për persekutime e padrejta në procese gjyqësore, e që buxheti i Kosovës vështirë se do i përballojë”,deklaroi ai.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme është i mendimit se Vetingu duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.
“Unë nuk shoh alternativë tjetër , pos me amendamentimin e Kushtetutës, në pjesën që rregullon çështjen e prokurorisë dhe gjyqësorit”,deklaroi Fejzullah Hasani.
Për Hasanin, deklaratat e pushtetit duke komentuar vendimet e Gjykatave apo të Prokurorisë, janë ndërhyrje në drejtësi.
“Kritikat dhe prononcimet në publik nga ana e dy pushteteve tjera , për vendimet gjyqësore , për akuzat e prokurorisë, nuk ka emër tjetër pos ndërhyrje në punën e këtyre institucioneve dhe kjo qasje, jo vetëm që e dëmton gjyqësorin, por edhe e komprometon vetë institucioni nga vinë prononcime të tilla, gjithashtu na dëmton karshi faktorit ndërkombëtarë”, përfundoi ai.
Aktualisht Vetingu ka mbetur pezull. Kjo pasi pa votat e Listës Serbe, nuk mund të procedohet më tutje për ndryshimet kushtetuese në formën se si ishte planifikuar të bëhet kjo reformë.