Ish-kryenegociatori i Serbisë në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, Borko Stefanoviq, që negocionte me Edita Tahirin në Bruksel, ka thënë se problemi me targat mund të zgjidhet me një kompromis që veturat me të gjitha targat mund të lëvizin çdo kund pa stikera.
Stefanoviq për agjencinë e lajmeve Beta ka thënë se Kosova duhet të braktisë synimin e saj që të ndalojë targat e lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, transmeton Gazeta Express.
“Autoritetet e Kosovës nuk kanë të drejtë të ndalojnë në mënyrë të njëanshme targa serbe për Mitrovicën e Kosovës (KM), Pejën (PE), Prishtinën (PR), Gjilanin (GL), Prizrenin (PZ) dhe qytete të tjera, sepse ato targa nuk janë lëshuar në Kosovë. Pra, kompromisi do të ishte që automjetet me RKS dhe targa të tjera të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e Serbisë, dhe pala prishtinase të marrë përsipër të mos i ndalojë targat e lëshuara nga MPB-ja e Serbisë, sepse nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. “, tha Stefanoviq.
I pyetur nëse Vuçiqi do ta njihte Kosovën në rast të një kompromisi të tillë, Stefanoviq tha se targat ose letërnjoftimet s’përfaqësojnë simbol të sovranitetit.
|Pasaporta është dëshmi e sovranitetit, e letërnjoftimi dhe targat jo, kështu që nuk bëhet fjalë për njohjen e ‘Republikës së Kosovës’”, ka theksuar ai.
Stefanoviq ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e keqinterpreton Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, për të cilën ai dhe përfaqësuesja e Kosovës, Edita Tahiri, u dakorduan në Bruksel në vitin 2011.
“Janë dy pika të asaj Marrëveshjeje që Kurti i interpreton gabimisht dhe në mënyrë të njëanshme. Autoritetet e Kosovës sipas asaj marrëveshje nuk kishin të drejtë që në vitin 2021 të shfuqizojnë targat me status neutral KS, të cilat u lejuan të lëviznin në gjithë territorin e Serbisë. Gjithashtu, lëshimi i certifikatave për dokumente personale, sipas asaj marrëveshjeje vlen vetëm për udhëtarët në vendet e treta, që do të thotë se kjo dispozitë nuk mund të zbatohet për serbët nga Kosova”, ka përfunduar Stefanoviq.