Lajme
Ish-kryeministri Johnson thotë se kthimi i Trumpit në pushtet është “ajo çfarë bota ka nevojë”
Demokracia
08:27 | 20 Janar 2024

Share:

Ish-kryeministri i njohur britanik, Boris Johnson, e ka përkrahur ish-presidentin amerikan, Donald Trump, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në ShBA, duke thënë se kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë “mu ajo për të cilën bota ka nevojë”.

Në kolumnen e tij javore në “Daily Mail”, ish-shefi i qeverisë britanike argumentoi se nëse Trumpi e mbështet Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, mandati i tij i ri “mund të jetë fitore e madhe për botën”, raporton gazeta “The Guardian”.

Megjithatë, Trumpi vazhdimisht ka hedhur dyshime për vazhdimin e përkrahjes amerikane për Ukrainën, nëse bëhet prapë president, ndërsa është krenuar për marrëdhëniet e tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ish-kryeministri Johnson shkroi: “Unë thjesht nuk mund të besoj që Trumpi do t’i lërë në baltë ukrainasit; përkundrazi, pasi është përcaktuar, siç ka bërë ai me siguri, se nuk ka marrëveshje për t’u bërë me Putinin, unë besoj se është një gjasë e mirë që ai do të përforcohet në atë që e nisi – duke ua dhënë atyre atë që kanë nevojë për të fituar.”

“Nëse ky është rasti, atëherë është çdo gjasë, nën pushtetin e Trumpit, që Perëndimi do të jetë më i fortë dhe bota më stabile”- shtoi figura e famshme britanike.

Më herët të premten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ftoi Trumpin që ta vizitojë Ukrainën.

Në një intervistë, presidenti Zelensky tha: “Po, të lutem, Donald Trump, të ftoj në Ukrainë.”

“Nëse mund ta ndalësh luftën gjatë 24 orëve, unë mendoj se do të jetë mjaft që të vish në Kiev, në cilëndo ditë që unë jamë këtu”- shtoi ai, duke iu drejtuar kandidatit për president të ShBA-së.

Në kolumnen e tij, për të cilën raportohet se gazeta “Daily Mail” po e paguan nga një milion funte në vit, Johnsoni pranoi se ish-presidenti Trump “është kapur duke thënë disa gjëra të pamatura”.

Megjithatë, Johnsoni pretendoi se “ajo për të cilën bota ka nevojë tani është një udhëheqës amerikan, gatishmëria e të cilit për t’i përdorur forcën dhe paparashikueshmërinë e plotë është parandalues i rëndësishëm ndaj armiqve të Ballkanit”.

Ai tha, gjithashtu, se Trumpi është i interesuar për “një marrëveshje të përshtatshme për tregti të lirë” me Britaninë, pasi shpresa për një marrëveshje të plotë tregtare u venit vitin e kaluar.

Të ngjashme