Lajme
Ish-kryediplomatja Haradinaj-Stublla: Kredibiliteti i ambasadorit Martin Berishaj është dëmtuar
Demokracia
15:08 | 27 Prill 2022

Share:

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka folur për Demokracia.com rreth dyshimeve për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në aferën për pastrimin e parave. 

Haradinaj-Stublla në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se MPJD nuk ka bazë të mjaftueshme dhe të besueshme për shkarkimin e Berishajt, megjithatë ajo thotë se kredibiliteti i ambasadorit është dëmtuar dhe çështja e dorëheqjes do të duhej të mbetej nën diskrecionin e vetë ambasadorit Berishaj.

Sipas saj, pretendimet se ambasadori Martin Berishaj është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash janë ende të paverifikuara.

“Pretendimet se ambasadori Martin Berishaj është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash janë ende të paverifikuara dhe të mohuara nga vetë ambasadori. Aq më tepër, duke besuar se figura e ambasadorit tashmë ka kaluar të gjitha filtrat e sigurisë dhe verifikimit paraprak nga AKI para emërimit, MPJD nuk ka bazë të mjaftueshme dhe të besueshme për shkarkim. Megjithatë, duhet ta pranojmë që kredibiliteti i ambasadorit është dëmtuar pavarësisht vërtetësisë së këtyre pretendimeve, andaj çështja e dorëheqjes do të duhej të mbetet nën diskrecionin e kompasit moral të vetë ambasadorit Berishaj”, ka thënë Haradinaj për Demokracia.com.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, u bë lajm në mediat rajonale, pasi që dyshohet se është i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni.

Në këtë aferë financiare, e cila po hetohet nën dyshimet se ka të bëjë me shpëlarje parash, ambasadori i Kosovës është i dyshuar për bartjen e rreth 600 mijë eurove CASH nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven Robert Golob, përcjell Demokracia.com.

“Kush ishte mushka financiare që ia ktheu Golobit paratë? Pronari i MB Consulting dhe i vetmi punonjës, Martin Berishaj, e ka arsyetuar këtë në organet tatimore të Malit të Zi me një marrëveshje kredie që ka lidhur me kompaninë e tij. Këtë pjesë të parave prej 197 mijë e ka tërhequr nga llogaria e tij personale, ndërsa pjesën tjetër të parave, gati 320 mijë euro, e ka tërhequr si pagesë fitimi nga një llogari biznesi. Por kujdes, paratë supozohet të kthehen në drejtimin nga kanë ardhur. Burimi që ka ofruar dokumentacionin për Planet TV thotë se janë inteligjenca që janë shkëmbyer mes shërbimeve të ndryshme inteligjente gjatë hetimit financiar. Ata dyshohet se e kanë njohur Martin Berishaj të lartpërmendur si një nga mushkat financiar që dyshohet se i kanë çuar paratë te Golob. Gjithashtu bëhet me dije se Golob i investon këto para në një nga fondet italiane, ku investitorët lejohen të mbeten anonimë”, shkruan mediumi slloven SiolNET, përcjell Demokracia.com.

Martin Berishaj vepron që një kohë të gjatë në Slloveni, por ai është i emëruar ambasador në Kroaci dhe është i afërt me Kurtin e Osmanin. /Demokracia.com/

Të ngjashme