Lajme
Ish komandanti i FSK-së: Nëse është e nevojshme, për Kosovën do të luftojmë sikur në vitet 1998-1999
Demokracia
22:16 | 07 Korrik 2022

Share:

Milan Radojiçiq, që është në kërkim si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, më saktësisht nga Leposaviqi. Nënkryetari i Listës Serbe përmes një videomesazhi, i ka njoftuar serbët e Kosovës se është kthyer, madje duke i sfiduar autoritetet e Kosovës se më nuk do të zmbrapset. 

I pyetur për videon e Radojiçiqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk e kupton mesazhin që ka dashur ai ta dërgonte dhe se nuk ia ndien për mesazhin e tij.

Lidhur me provokimet e fundit të Serbisë në veri përmes kriminelit Radojiçiq ka folur ish-komandanti i FSK-së, gjenerali Kadri Kastrati.

Në një deklaratë për Demokracia.com, Kastrati ka thënë se Radojiçiq është vetëm përcjellës i mesazhit të Vuçiqit, për të provokuar dhe në një far mënyre për t’i kthyer mesazh Kosovës se mund të ketë luftë.

“Fillimisht do të thosha se ky është mesazh i presidentit serb pasi që kryeministri i Republikës së Kosovës solli vendim për reciprocitet në targa të veturave dhe çështjeve të tjera, prandaj kjo nuk është asgjë tjetër përveçse një përcjellje e mesazhit të të Vuçiqit përmes Milan Radojiçiqit për të provokuar”, ka thënë Kastrati.

Ish-komandanti Kastrati thotë se serbët e Kosovës nën drejtimin e Beogradit dhe të Listën Serbe ka një kohë të gjatë që janë duke u munduar ta destabilizojnë vendin.

“Lista Serbe dhe Beogradi dëshirojnë ta mbajnë Kosovën sa më shumë në tension e në një temperaturë të lartë për t’i arritur qëllimet e veta. Synimin kryesor ata nuk e kanë fshehur kurrë dhe ne e dimë fare mirë që ky synim është ndarja e Kosovës që veriu t’i bashkëngjitët Serbisë”, ka thënë Kastrati për Demokracia.com.

I pyetur për kapacitetet mbrojtëse të Kosovës, Kastrati thotë se Policia e Kosovës është e përgatitur mirë dhe me prezencën ushtarake ndërkombëtare ka kapacitete të mjaftueshme.

“Unë besoj fuqishëm se Republika e Kosovës është e përgatitur mirë, Policia e Kosovës është mirë e përgatitur. Prezenca ushtarake ndërkombëtarëve në Kosovë i ka kuptuar të gjitha këto marifete të Serbisë dhe mendoj që nuk mund t’ia arrijnë qëllimit. Serbët mendojnë ende shumë që ta bëjnë sa më shumë situatën e tensionuar dhe kjo ka të bëjë me marrjen e një pozicion të mirë për bisedime që janë duke u zhvilluar në Bruksel. Serbia sa herë që mbështetët për muri nga bashkësia evropiane dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë luan lojëra të tilla për të prezantuar vetën si viktimë, sepse ata mendojnë që janë viktima çdo herë”, ka thënë Kastrati.

Kastrati thotë nëse vihet deri te eskalimi i situatës, Kosova i ka të gjitha kapacitetet që të mbrohet. “Qysh kemi luftuar në vitet 1998 dhe 1999, do të luftojmë prapë për territoret tona”, ka thënë ai.

“Nëse vijmë deri tek një situatë tensionuese, e besoj që nuk do të vije, Kosova në momentin e parë ka kapacitete. Ne qysh kemi luftuar në vitet 1998-1999, Kosova do të luftoj prapë për territoret e veta dhe asnjëherë asnjë milimetër jo Serbisë, por askujt nuk do të ia japim.  Ne jemi këtu të zotët e vetës dhe do ta mbrojmë Kosovën çdo herë që është e nevojshme, por në aspektin e situatës në vend Policia e Kosovës dhe Ushtria e Kosovës, si dhe prezenca e ndërkombëtare ushtarake kanë kapacitete të mjaftueshme për t’i dalë përballë këtyre rreziqeve që po vijnë çdo ditë nga territori i Serbisë apo nga qendra e zyrës së tyre në Beograd”, ka deklaruar Kastrati. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024