Lajme
Ish-inspektori i AKI-së nuk beson se ambasadori Hovenier e ka informuar Kurtin më shumë sesa AKI-ja për situatën në veri
Demokracia
22:58 | 29 Nëntor 2022

Share:

Ish-inspektori i Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku kishte thënë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), Jeff Hovenier, e kishte informuar për diçka që ai nuk kishte qenë në dijeni.

Por, kjo deklaratë e të parit të Qeverisë së Kosovës, për ish-inspektorin është e çuditshme.

Ai nuk beson se ka mundur të ketë diçka shtesë në informacion ma shumë sesa që i ka dhënë AKI-ja Kurtit.

“Amerika qenka e fortë. Ne e kemi ditur këtë punë shumë më herët, por tani është mirë që edhe Qeveria e Kosovës është duke e ditur, sepse një herë këta të fundit ia filluan me Bashkimin Evropian edhe i lanë anash SHBA-të. Por, tani përsëri janë rikthyer nga Amerika. Edhe në fund iu dashtë një takim me ambasadorin për të marrë një vendim, që është dashur të merret më herët”, ka deklaruar Sopjani, në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Më tej, ai ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit nuk ka qenë aspak e mirë, pasi sipas tij, kjo demotivon zyrtarët e sigurisë së Kosovës.

“Zyrtarët e sigurisë së Kosovës e bëjnë një punë shumë të madhe, sepse ata i japin informata në kohë ”, ka theksuar ai.

Ndërkohë ai ka rrëfyer përvojën e tij me AKI-në, ku ka thënë se këta të fundit janë ballafaquar me sfidat shumë më të mëdha. Edhe atëherë ka qenë veriu, por, përveç kësaj ata kanë pasur edhe sfidën e terrorizimit në 2015-tën dhe ia kanë dalë mbanë.

“Nuk ka pasur problem asnjëherë AKI-ja në dhënien e informacionit, aty ku është dashur të informohet. Të njëjtit agjentë janë, nuk ka ndryshuar diçka”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme