Sport
Ish-futbollisti kosovar: Shpresoj se do të kthehen paraqitjet brilante, ky futbollist është dashur të ftohet nga Kosova
Demokracia
15:19 | 22 Mars 2022

Share:

Nën urdhrat e Alain Giresset, dje (e hëne) Përfaqësuesja e Kosovës mbajti stërvitjen e parë në prag të ndeshjeve të muajit mars.

“Dardanët” do t’i zhvillojnë dy ndeshje miqësore këtë muaj.

Fillimisht, më 24 mars, Kosova do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Burkina Fasos, kurse më 29 mars ndaj Zvicrës në Cyrih.

Giresse shpalli listën e të ftuarve javën e kaluar, derisa nuk pati ndonjë befasi, përpos ftesës së sotme për futbollistin e Ballkanit, Lumbardh Dellova.

Ndeshjet e marsit dhe listën e Giresset i ka komentuar edhe ish-futbollisti i njohur kosovar, Berat Hyseni.

Në një prononcim për FrontOnline, ish-futbollisti i Prishtinës shpreson në një “frymë të re”.

“Shpresoj të jetë një frymë e re dhe motiv i futbollistëve tani me ndryshimin e trajnerit. Shpresoj se do t’i kenë ato paraqitjet brilante”, ka thënë fillimisht Hyseni.

Tutje, ai e ka komentuar edhe mosftesën e Leart Paqaradës, i cili po shkëlqen me St.Paulin këtë edicion në Bundesliga 2.

“Sigurisht trajneri i ri do t’i merr të gjitha parasysh, por gradualisht besoj se do e ftoj në grumbullimet e radhës”, theksoi ai.

Sa i përket mungesës së futbollistëve nga Superliga e Kosovës, përpos Dellovës, Hyseni tregon se vlera e kampionatit kosovar me kampionatet tjera është më e vogël.

“Ftesën ka shumë që e meritojnë, por konkurrenca dhe vlera e kampionatit tonë me kampionatet tjera është më e vogël dhe kjo është arsyeja pse ka pak lojtarë të Superligës”, nënvizoi ish-futbollisti kosovar.

Sipas tij, Mirlind Daku është dashur të ftohet nga Giresse në këtë grumbullim.

“Besoj se Mirlind Daku është dashur të ftohet pasi përmes tij lind një shpresë për një yll tjetër te Kosova. Poashtu, Armend Thaqi dhe Blend Baftiu, i cili ka qenë që një kohë i lënduar dhe i duhet kohë ta marrë veten. Ka lojtarë, por jo edhe shumë pasi ka disa që kanë bërë disa vite edhe pse janë lojtarë të mirë në kampionatin tonë, për përfaqësuesen besoj se nuk do t’ju jepet mundësia”, përfundoi Berat Hyseni.

Të ngjashme