Lajme
Ish-financuesi i FER-it, tash në LVV, akuzon Ahmetin për politikat e partisë së tij
Demokracia
15:14 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, dikur krenoheshin me kiflet e kunjat që ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i kishte sjell në kryeqytet. Ishte politikë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mbështetej në programin socialdemokrat të partisë së Kurtit. Por, Haki Abazi, një figurë e zëshme brenda LVV-së, ka dal kundër këtij projekti social. Për kiflet, ka ironizuar me kryetarin në largim të kryeqytetit.

Shpend Ahmeti dje përfundoi mandatin e tij tetë vjeçar në Komunën e Prishtinës, të cilën për këto dy mandate e fitoi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo rrugëtimi i tij me këtë parti përfundoi kur ai veçse kishte marrë mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës.

7 marsi i vitit 2018 shënoi “lamtumirën” mes këtyre dy palëve, atëherë kur ish-kryetari i Prishtinës dha dorëheqje nga kjo parti.

Mospajtimet që lindën që nga koha kur Ahmeti dhe Lëvizja Vetëvendosje ndanë rrugët mes vete, kanë nxitur një kritikë kundërthënëse të Haki Abazit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ish-financues i Frymës së Re (FER), të cilën e kishte bashkëthemeluar Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda.

Abazi, kritikoi Ahmetin për projektin e kifleve dhe qumështit, të implementuar gjatë mandatit të parë të Ahmetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Një projekti të mbështetur në programin socialdemokrat të LVV-së.

“Nuk t’falim për tetë vite të degradimit dhe dembelisë, për pishat e veternikut që nuk ekzistojnë më dhe as për lloqin, as për urbanocidin dhe as për borxhin me mijëra euro… lamtumirë kunja e kifle”, ka shkruar Abazi për Ahmetin, të cilit dikur ia financonte Partinë Fryma e Re.

Kifle për krejt shkollat e Kosovës, premtonte Kurti

Ishte Albin Kurti, shefi partiak i Haki Abazit, i cili pesë vite më parë – kur kandidonte për kryeministër – premtonte kifle dhe qumësht në të gjitha shkollat e Kosovës, sikurse në Prishtinë.

“Kifle dhe qumësht në të gjitha shkollat fillore, siç kemi bërë në të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës. Kontrolla të rregullta mjekësore për të gjithë fëmijët e shkollave fillore“, kishte thënë Kurti.

Madje në po të njëjtin vit ai kishte komentuar edhe kunjat, për të cilat Avdullah Hoti e kishte kritikuar Shpend Ahmetin. Kurti në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë “kunjat” e kundërshtarëve të tij i kishte konsideruar cinik.

“Jemi përballur me kunja për kiflet, kunja për autobusët, kunja për ndërtimet pa leje, kunja për kunjat në qytet”, pati deklaruar Kurti, teksa ka shtuar se Shpendi i ka krahët që i duhen Prishtinës për të fluturuar.

Praktikën e kifleve, tashmë të kritikuar për Haki Abazin, Lëvizja Vetëvendosje e aplikoi edhe në Prizren.

Në një postim në Facebook, Haskuka kishte njoftuar se ai kishte përmbushur edhe një premtim të dhënë për këtë qytet.

“Jam shumë i lumtur kur pashë buzëqeshjen në fytyrën e fëmijëve tanë, gjatë shpërndarjes së shujtave, që do të përfshijnë: Kifle të llojeve të ndryshme, me paketime higjienike për 5 ditë të javës dhe nga një qumësht një herë në javë”, shkroi Haskuka më 23 mars të këtij viti.

Por, Albin Kurti, me emrin dhe punën e Shpend Ahmetit nuk mjaftohej vetëm kur bënte premtime për t’i siguruar vetës pozitën e kryeministrit.

Ai emrin e tij e përdorte edhe për t’i sulmuar kundërshtarët politik.

Një gjë të tillë ai e kishte bërë edhe në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, ku kishte thënë se Shpend Ahmeti është më i mirë se Mimoza Kusari – Lila.

“Vetëvendosja është e kuqe si Gjakova, Vetëvendosja është kuq e zi si Gjakova, Vetëvendosja është trime por si Gjakove, Vetëvendosja është e ditur si Gjakova, vetëvendosja është e kulturuar si Gjakova, veç se Shpendi është shumë më i mirë se Mimoza”, pati deklaruar Kurti më 2014.

Jo rrallëherë Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka ndryshuar qasje ndaj akterëve politikë varësisht prej përkatësisë së tyre me LVV-në apo kundër saj.

Një gjë të tillë LVV-ja dhe Kurti e bënë me Mimoza Kusari-Lilën 4 vite më parë kur e akuzonin se nuk ka luftuar siç duhet krimin dhe korrupsionin.

Kurse, në zgjedhjet e fundit komunale, gjatë fushatës, ishte pikërisht Kurti ai që kishte deklaruar se kishte 700 punë, por asnjë më të rëndësishme sesa për të bërë fushatë për Mimoza Kusarin.

Të ngjashme