Lajme
Ish-drejtori i Policisë: Qeveria të tregojë nëse do t’i konfiskojnë targat serbe apo vetëm do t’i qortojnë e gjobisin çdo ditë
Demokracia
18:53 | 01 Nëntor 2022

Share:

Policia e Kosovës ka nisur sot zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat serbe.

Qytetarët serbë të Kosovës prej sot do të marrin vetëm një qortim, nëse nuk i kanë konvertuar targat e automjeteve në RKS.

Dita e parë e zbatimit të vendimit ka shkuar pa ndonjë incident deri më tani.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe vështirësitë e implementimit të tij ka folur për Demokracia.com edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-drejtor i Policisë, Rashit Qalaj.

Ai ka vlerësuar se ky vendim është shumë i komplikuar.

“Me thënë të drejtën është një vendim i Qeverisë, që është mjaft i komplikuar për t’u zbatuar në dy aspekte: aspekti legal dhe ai politik”, tha Qalaj për Demokracia.com.

Ai ka thënë se çështja e qortimit parashihet edhe në Ligjin për Kundërvajtje në Trafik, mirëpo nuk është e njëjta analogji me veriun e Kosovës.

“Nga informatat që i kam, deri tani çdo gjë ka shkuar mjaft qetë. Nuk është raportuar ndonjë incident. Në aspektin legal, çështja e qortimeve është e vërtetë që rregullohet me një nen në Ligjin për Kundërvajtje në Trafik, mirëpo nuk ka të bëjë me regjistrimet e veturave. Qortimi ose tërheqja e vërejtjes nga policët i lëshohet kundërvajtësve në trafik, të cilët e kanë policën e sigurimit, por ende nuk e kanë bërë regjistrimin. Këtyre kundërvajtësve nuk u shqiptohet gjobë, por vetëm u tërhiqet vërejtja për katër ditë pas sigurimit dhe në ditën e pestë, nëse vetura nuk është e regjistruar, atëherë i shqiptohet gjobë. E njëjta analogji nuk mund të vlejë në veri, për shkak se nuk mund të lëshosh qortime për çdo ditë. Ata mund të qarkullojnë për çdo ditë dhe nëse polici e ndalon çdo ditë, duhet me ia tërheq vërejtjen apo me i dhënë një qortim sipas vendimit të qeverisë”, tha Qalaj.

Por, sipas tij, pjesa më e vështirë është faza e dytë, ajo e gjobave.

“Pastaj vjen faza e dytë, që është më rëndë për zbatim nga aspekti legal, meqenëse në vendimin e Qeverisë nuk thuhet saktë që pas lëshimit të gjobës nga Policia e Kosovës si të veprohet. A duhet t’u konfiskohen tabelat? Apo vetëm duhet t’u lëshohet gjobë dhe gjoba t’u vihet çdo ditë. Është mjaft diskutabile”, tha Qalaj.

Deputeti Qalaj ka folur për Demokracia.com edhe për trazirat e mundshme në veri të Kosovës.

Sipas tij, kjo nuk varet shumë nga qytetarët serbë, por varet nga direktivat që i marrin nga Serbia.

“Kjo varet nga urdhrat që i marrin, nga kërcënimet që i marrin nga Presidenti i Serbisë dhe aparati shtetëror i Serbisë, Lista Serbe dhe strukturat kriminale që janë atje”, u shpreh tutje Qalaj.

Sipas deputetit Qalaj, në këtë kohë, në pozitën më të vështirë janë qytetarët serbë të veriut.

“Unë mendoj që  pakënaqësitë nuk do të jenë vetëm në drejtim të autoriteteve të Kosovës. Pakënaqësitë do të rriten edhe ndaj autoriteteve të Serbisë, sepse qytetarët e veriut do të jenë viktimat kryesore. Në njërën anë, janë nën presion nga autoritetet e Kosovës që të regjistrojnë veturat në targat e ligjshme të RKS-së dhe në anën tjetër janë kërcënimet e shantazhet nga shteti serb. Unë mendoj kjo është pjesa më e vështirë edhe nga aspekti legal dhe nga aspekti politik”, përfundoi ai. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme