Lajme
Ish-drejtori i Policisë: Gjuriq të suspendohet dhe të ndiqet penalisht për cenim të sovranitetit
Demokracia
20:40 | 02 Nëntor 2022

Share:

Për herë të parë që nga themelimi i Policisë së Kosovës, një epror i lartë sot ka dalë dhe e ka cenuar sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Bëhet fjalë për Drejtorin e Policisë Rajonale të veriut, Nenad Gjuriq, shkruan Demokracia.com.

Ai sot ka dalë publikisht dhe e ka kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për qortimin e qytetarëve serbë, që nuk i kanë konvertuar targat.

Por, e çuditshme se edhe pas kësaj shkeljeje të rëndë ndaj tij nuk është marrë asnjë masë nga institucionet e Kosovës.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se Gjuriq është dashur të suspendohet ende pa e përfunduar konferencën.

“Realisht, unë e pashë nëpërmjet mediave. Jam i befasuar që MPB, në fakt Drejtori i Policisë nuk ka reaguar. Ai është dashur që të suspendohet ende pa e mbaruar atë fjalim dhe në momentin e parë që është dëgju çka po thotë është dashur të suspendohet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe menjëherë të  iniciohen procedurat ndaj tij konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Qalaj për Demokracia.com.

Ish-drejtori i Policisë tha se Gjuriq duhet të përgjigjet penalisht për moszbatim të urdhrave.

“Kur një drejtor rajonal deklaron publikisht se nuk do të zbatojë vendimet e ligjshme të Qeverisë së vendit, ndaj tij duhet të iniciohet procedura në Inspektoratin Policor të Kosovës për përgjegjësi penale, sepse ai po paralajmëron për bojkot ndaj institucioneve të Kosovës dhe me një mënyrë e cenon sovranitetin e vendit”, shtoi ai.

Sipas Qalajt, kjo është hera e parë që një epror i Policisë e bënë një gjë të tillë.

“Po ashtu është hera e parë që nuk shohim ndonjë reagim të institucionit të Policisë, u.d të drejtorit dhe kjo është e papranueshme. Prapë po e përsëris, ai është dashur që të suspendohet menjëherë dhe pastaj të fillojnë procedurat penale ndaj tij”, u shpreh Qalaj.

Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në veri, Nenan Gjuriq, ka thënë sot se policët në veri të Kosovës nuk do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Ai ka thënë se vendimi për qortim, sipas tij, është “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Gjuriq ka thënë se për këtë mosbindje ndaj shtetit e ka informuar edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar.

“Sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë në rajonin tonë janë dërguar patrulla të trafikut për t’iu bërë presion institucioneve tona për të zbatuar vendimin që ka të bëjë me qortimin”, tha ai.

Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Për këtë mosbindje ndaj vendimeve të shtetit ende nuk është marrë asnjë masë ndaj tij.

Kjo nuk është hera e parë që Gjuriq bënë veprime kundër Kosovës.

Që nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka vendosur që qytetarët të cilët kanë makina me targa ilegale, do të marrin fleta qortuese.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS – Republika e Kosovës.

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si KM, GL, PR, UR e të tjera.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat. /Demokracia.com/

Të ngjashme